Turqia do të rrisë investimet në Shqipëri. Ky ishte premtimi i kryetarit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqiptaro-Turke. I pranishëm në ceremoni, kryeministri Rama përmendi investimet në aeroportin e Vlorës dhe në linjën ajrore. Në fjalën e Ramës nuk munguan as batutat.

Në Asamblenë e Përgjithshme të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqiptaro-Turke, kryeministri Edi Rama nenvizoi rendesinë e investimit në aeroportin e Vlorës

Rama: Më vjen jashtëzakonisht mirë që ky do të jetë viti i lançimit të dy investimeve shumë të rëndësishme dhe mjaft simbolike për cilësinë e kësaj marrëdhënieje, investimi për ndërtimin e aeroportit të ri ndërkombëtar të Vlorës dhe investimi nga ana e kompanisë Turkish Airlines për të asistuar ngritjen e linjës sonë kombëtare ajrore.

Aeroporti i Vlorës do të jetë një stimul shumë i rëndësishëm për rritjen e ekonomisë dhe të punësimit, si dhe për fuqizimin e industrisë sonë të turizmit. Ndërsa linja e re ajrore kombëtare do të jetë më në fund një mundësi e re dhe e shumëpritur për të gjithë shqiptarët, që të kenë shtëpinë e tyre fluturuese.

Falë këtyre dy ndërhyrjeve strategjike në ekonominë tonë do të kemi rritje të fluksit të pasagjerëve që udhëtojnë drejt Shqipërisë dhe do të kemi ulje të çmimeve të fluturimit për shqiptarët, që pas më shumë se çerekshekulli ankesa do të ndihen më në fund të çliruar nga laku i çmimeve shumë të larta të fluturimit.

Gjatë fjalimit të Ramës nuk munguan edhe batutat.

Rama: Iyi akşamlar! Nuk di më shumë fjalë, por besoj se marrëdhënia mes Shqipërisë dhe Turqisë është e tillë që i thotë të gjitha fjalët. Dua ta përshëndes e ta falënderoj mikun dhe bashkëvuajtësin tim, kryetarin e Dhomës së Tregtisë Shqiptaro-Turke. Mikun, sepse puna na ka bërë miq dhe bashkëvuajtësin sepse ndajmë sëbashku dhimbjen e shkaktuar nga shiatiku. Por ndryshe nga unë, ai ka mundësinë të bëjë not përditë, ndërsa unë jam i detyruar të notoj çdo ditë në politikën shqiptare. Kjo është arsyeja, pse ai është më në formë se unë.

Ndërkaq dhe kryetari i kësaj dhome tha se do të rriten investimet e biznesmenëve turq në Shqipëri.

/Ora News.tv/