Turqia proteston kundër martesave me vajza të vogla

Turqia proteston kundër martesave me vajza të vogla

Një fotograf dasmash turk, Onur Albayrak, u kthye në hero kombëtar pasi refuzoi të bënte punën e tij kur zbuloi se nusja ishte vetëm 15 vjeç, tre vite më pak se minimumi i moshës për t'u martuar.

Kjo ndodhi në Malatya, Anadollin lindor.

Vendimi i Albayrak ka zemëruar dhëndrrin, i cili ka nisur sherrin. Nga ana e fotografit janë rreshtuar më shumë se 100 planifikues dasmash, të cilët kanë premtuar se do të bojkotojnë dasma ku nusja është ende fëmijë.

Fotografi mendonte të kalonte një ditë normale pune, por kur kuptoi se bëhej fjalë për një nuse ende fëmijë, refuzoi të vazhdonte punën.

"Kuptova se ajo po dridhej. E pyeta sa vjeç ishte. Në fillim më tha 15, më pas 16. Atëherë u ktheva dhe u bëra gati të iki ", rrëfen ai.

Por, ky veprim ka nxitur reagimin e ashpër të dhëndrrit i cili i ka thënë

"Thjesht të marrë paratë dhe të bëjë punën e tij".

Diskutimi më pas degjeneroj në sherr të mirëfilltë.

"Kam dëgjuar se duan të më denoncojmë. Le ta bëjnë. Unë kam fotografuar vetëm realitetin e këtij vendi. Më mjafton përpjekja për të ndaluar martesat me minorenë", ka shtuar fotografi, i cili tashmë është kthyer në një 'yll' të rrjetit.

Që kur u përhap lajmi, Albayrak ka marrë shumë vlerësime dhe telfonata mbështetjeje. Mes admiruesve të tij, janë edhe planifikuesit e dasmave që kanë vendosur të mbështesin luftën e tij.

"Jam i lumtur që kam kontribuar për sensibilizimin e këtij problemi. Në dy ditët e fundit, telefoni im nuk ka pushuar së rëni."

Gjesti i fotografit ka sjellë në qendër të debatit fenomenin e nuseve-fëmijë në Turqi që sipas disa organizatave 'qëndron ende si alarm'.

Edhe pse, sipas ligjit, mosha minimale për martesë është 18 vjeç, që në disa raste mund të zbresë në 17 dhe duhet autorizimi nga gjykata, rastet e nuseve minorene janë shumë të përhapura, sidomos në zonat më konservatore.

Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Statistikave, në 5% të dasmave, në Turqi, nusja është minorene.

Një shifër jo shumë e saktë, sipas organizatave të të drejtave të njeriut, pasi shpesh herë martesat me minorene nuk regjistrohen.

EMISIONET