Progres-raporti për vendet që aspirojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian pritet të shuajë shpresat e Turqisë për t’iu bashkuar bllokut në këto momente. Sipas disa pasazheve të këtij raporti, të publikuara në të përjavshmen gjermane Welt am Sonntag, Ankaraja ka shënuar “përkeqësim serioz në fushat e drejtësisë, sundimit të ligjit, të drejtat themelore dhe në lirinë e shprehjes”. Për këtë, Komisioni do të dalë në konkluzionin se nuk ka një bazë për të përparuar në bisedimet për anëtarësim me Ankaranë zyrtare.

“Turqia ka një shkëputje të madhe nga Bashkimi Europian,” citohet të ketë thënë një zyrtar i bllokut për agjensinë prestigjioze të lajmeve Reuters, që gjithashtu konfirmoi përmbajtjen e raportit të ardhshëm. Heqja e gjendjes së emergjencës në Turqi, e vendosur pas grushtit të dështuar të shtetit në 2016, pritet të jetë një nga parakushtet që Komisioni do t’i vendosë Ankarasë zyrtare për të shënuar progres në bisedimet dypalëshe.

Por përtej kësaj ftohjeje, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan deklaroi muajin e kaluar se ai mbetet i përkushtuar në punën për anëtarësimin e vendit në BE. Kujtojmë se edhe Shqipëria pret të mësojë progresin e shënuar në rrugën drejt integrimit europian nga raporti që do të publikohet ditën e martë.

/Ora News.tv/