Turqia po mohon një artikull sipas së cilit mund të ketë diskutuar me një ish-zyrtar të administratës së Presidentit Donald Trump për një komplot për kapjen e një kleriku mysliman që jeton në Shtetet e Bashkuara.

Sipas artikullit botuar në gazetën “Wall Street Journal”, Prokurori i Posaçëm Robert Mueller po heton një plan që mendohet se mund të ketë përfshirë ish-këshilltarin e sigurisë kombëtare të Presidentit Trump, Michael Flynn, për të rrëmbyer klerikun Fethullah Gylen, i cili që prej vitit 1999 jeton në Shtetet e Bashkuara.

Sipas artikullit, Flynn dhe i biri pritej të merrnin deri në 15 milionë dollarë në këmbim të dorëzimit të tij tek Turqia.

Në një deklaratë të shtunën në mbrëmje, ambasada turke në Uashington i quajti akuzat se Turqia mund të përdorte mjete të paligjshme për ta kthyer Gulenin në Turqi “krejtësisht të rreme, qesharake dhe pa bazë."/Zeri i Amerikes/

Turqia pretendon se kleriku orkestroi përpjekjen për grusht shteti në korrik 2016 nga anëtarë të ushtrisë turke, që shkaktoi vdekjen e 240 vetëve. Gulen ka mohuar të ketë luajtur rol në komplotin për të përmbysur qeverinë e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan.

Në deklaratën që përgënjeshtronte artikullin në gazetën “Wall Street Journal”, Turqia thoshte se vazhdon të punojë me institucionet amerikane për të siguruar ekstradimin e Gulenit dhe përsëriti akuzat se kleriku ishte organizatori i përpjekjes për grusht shteti.

/Ora News.tv/