Turqia ka thirur ambasadorët e saj në Izrael dhe në SHBA për tu kthyer në Turqi për “konsultime” pasi ushtria izraelite vrau dhjetra protestues palestinezë të cilët kundërshtuan hapjen e ambasadës së SHBA-së në Jeruzalem.

Diplomatët, aktualisht të vendosur në Washington DC dhe në Tel Aviv do të kthehen në Turqi tha sot zv/kryeministri Bekir Bozdag duke shtuar se Turqia ka shpallur tre ditë zie në shenjë solidariteti me Palestinën.

Gjithashtu Ankaraja ka bërë thirrje për një sumit emergjent të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OIC) që do të mbahet të premten dhe për një takim të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së lidhur me përdorimin e forcës nga Izraeli, tha Bozdag.

Lëvizja vjen disa orë pasi forcat izraelite qëlluan me municione, gaz lotsjellës mbi protestuesit palestinezë në Gaza duke vrarë të paktën 55 persona dhe duke plagosur të paktën 2 700 vetë.

 Edhe Afrika e Jugut ka thirrur sot ambasadorin e saj në Izrael.

Që prej 30 marsit kur nisën protestat, forcat izraelite kanë vrarë 104 palestinezë dhe plagosur 12 mijë të tjerë.

Duke folur të premten e kaluar gjatë një vizite në Londër, presidenti turk Rexhep Taip Erdoan akuzoi Izraelin si shtet terrorist duke thënë se ai po kryen genocide kundër palestinezëve

Sa i takon zhvendosjes së ambasadës së SHBA nga Tel Aviv në Jeruzalem Erdoan tha se Turqia nuk do të lejojë që e sotme të jetë dita kur bota myslimane humb Jeruzalemin

Komentet e Erdoganit erdhën pasi mijëra njerëz dolën në rrugët e qytetit më të madh të Turqisë për të protestuar kundër zhvendosjes së ambasadës.

Të paktën 6 mijë persona u mblodhën sot të hënën (14 maj) në qendër të Stambollit për të dënuar ceremoninë e inaugurimit

/Ora News.tv/