Serena dhe Venus Williams do të zhvillojnë një tjetër përballje epike mes tyre, këtë herë në rrethin e tretë të turneut Masters të "Indian Wells", në një turne ku 17 vjet më parë ato përjetuan momentin më të vështirë të karrierës së tyre, fyerjet për racizëm.

Kjo do të jetë hera e 26-të që dy motrat amerikane do të luajnë ndaj njëra-tjetrës, me Serenën që udhëheq 14-11 në përballjet direkte.

Në ndeshjet e fundit, Serena mundi (7-6, 7-5), holandezen Kiki Bertens ndërsa Venus eliminoi rumunen Sorana Cirstea,pas fitores 2-0 (6-3, 6-4).

Nëse për Venus ky kualifikim ishte më i lehtë, për Serenën fitorja ishte e vështirë, pasi ajo u rikthyer në fushë pas 14 muajsh pushim, për shkak të shtatzënisë dhe lindjes së vajzës.

 “Jam ende shumë larg nivelit tim edhe pse kam disa objektiva për këtë sezon. Por Venus është më në formë dhe po luan më mirë tani se sa kur ishte e re”, tha Serena Williams.

Dy tenistet kanë qenë përballë njëra-tjetrës edhe në vitin 2001 në këtë turne, por Venus u tërhoq pas disa minutash.

/Ora News.tv/