Presidenti i Shteve të Bashkuara, Donald Trump dhe homologu i tij rus,  Vladimir Putin, kanë rënë dakord të luftojnë Shtetin Islamik në Siri deri në zhdukjen e plotë të terroristëve islamikë. Deklarata vjen nga Kremlini Zyrtar, pasi dy liderët u takuan shkurtimisht në samitin ekonomik, Azi-Paqësor që po mbahet në Vietnam.

Në deklaratën e Rusisë,  thuhet se Putin dhe Trump, janë pajtuar për të vazhduar përpjekjet e përbashkëta në luftën kundër terroristëve në Siri. Kremlini zyrtar tha se dy liderët pranuan përkushtmin e tyre për sovranitetin dhe pavarësinë e Sirisë dhe u kanë bërë thirrje të gjitha palëve të përfshira në konfliktin sirian, që të marrin pjesë në samitin e Paqes në Gjenevë. Kremlini tha se deklarata për Sirinë ishte koordinuar nga ministri i jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov dhe sekretari amerikan i shtetit, Rex Tillerson.

 Rusia dhe SHBA, pajtohen se nuk ka zgjidhje ushtarake për konfliktin në Siri, thuhet në deklaratën ruse.  Ndërkohë mediat ndërkombëtare kanë filmuar pamje të Trump dhe Putin duke biseduar miqësisht, derisa ata përgatiteshin për fotografimin e përbashkët familjar në samitin APEC në Vietnam.

Megjithëse më herët, Shtëpia e Bardhë deklaroi se nuk do të ketë një takim zyrtar mes Trump dhe Putin, duket se ata patën një takim miqësor mes tyre.

/Ora News.tv/