Tsipras dhe Erdogan “hidh e prit”: Marrëdhëniet të ecin, pavarësisht problemeve

Tsipras dhe Erdogan “hidh e prit”: Marrëdhëniet të

Kryeministri grek Aleksis Tsipras dhe presidenti turk Recep Tayipp Erdogan, kanë theksuar rëndësinë e mbajtjes së kanaleve të komunikimit, pavarësisht problemeve të mprehta midis dy vendeve.

“Është e rëndësishme të forcojmë kanalet e komunikimit midis Greqisë dhe Turqisë. Këtë mund ta bëjmë vetëm mbi bazën e respektit reciprok. Marrëveshja e Lozanës është guri i themelit i marrëdhënieve tona”, deklaroi Tsipras gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me presidentin Erdogan.

E cilësuar dhe e pranuar si historike, vizita e parë pas 65 vjetësh e një presidenti turk në Greqi, filloi në një atmosferë të rënduar për shkak të deklaratës së zotit Erdogan se marrëveshja e Lozanës duhet riaktualizuar.

Menjëherë pas mbërritjes së tij në Athinë, Erdogan u prit nga homologu i vet, Prokopis Pavlopulos. Të dy kryetarët e shteteve patën një dialog mjaft sfidues, dhe disi larg etikës diplomatike që zakonisht zbatohet në raste të tilla.

Me momente sfiduese ka qenë edhe konferenca e përbashkët për shtyp, ku sa Tsipras aq edhe Erdogan nuk i janë përmbajtur tundimit për të “thumbuar” njeri tjetrin. Shprehja popullore “hidh e prit”, do të mund të ishte një titull i mirë për atë konferencë shtypi.

Si rrallë herë, deklaratat për shtyp të kryeministrit grek dhe presidentit tuk ishin si një përsëritje e bisedës tepër të gjatë që ata të dy kishin zhvilluar pak më herët, kokë më kokë.

“Folëm hapur me presidentin turk në përpjekjen tonë që të mos fshihemi pas mosmarrëveshjeve. T’i evidentojmë mosmarrëveshjet por të shuajmë dhe keqkuptimet, të kuptojmë se çfarë thotë njeri-tjetri”, tha Aleksis Tsipras.

Duke shpjeguar objeksionet e veta për marrëveshjen e Lozanës, presidenti Erdogan tha se ajo është një marrëveshje e nënshkruar nga 11 shtete, në të cilën ka parashikime vetëm për detin Egje. “Nuk ka asnjë referim për statusin e dy minoriteteve tona. Në Trakën Perëndimore kemi minoritet mysliman që ne mendojmë se është me origjinë turke dhe se në këtë çështje mund të bëhen mendime të reja”, tha Erdogan.

Ai vuri në dukje edhe “hendekun ekonomik”, siç e quajti midis të ardhurave për frymë të Greqisë në përgjithësi- që janë 15.000 euro dhe të Trakës perëndimore që sipas tij mezi arrijnë 2.500 euro.

Ndërkaq, Erdogan deklaroi që “nuk synojmë integritetin territorial të asnjë vendi, të asnjë fqinji”.

Në një kreshendo optimiste, kryeministri grek propozoi që Turqia të shfrytëzojë momentin pozitiv për ekonominë greke dhe daljen eventuale të Greqisë nga kriza. “Le të punojmë që të hapim një kapitull të ri në marrëdhëniet greko-turke, që nuk do të mbështeten në mosbesimin reciprok, por në respektin reciprok dhe në solidaritetin”, tha Tsipras.

Më herët, Recep Tayipp Erdogan kishte rekomanduar që të dy palët “duhet të fokusohen te pjesa e mbushur e gotës, që të lënë mënjanë pjesën bosh. Duhet t’i ndërtojmë bisedimet tona mbi bazën e këtij këndvështrimi. Të fokusohemi te pjesa e mbushur e gotës”, përsëriti Erdogan.

 

EMISIONET