Trump, thirrje për veprime urgjente për të parandaluar dhunën me armë

Trump, thirrje për veprime urgjente për të parandaluar

Presidenti i SHBA Donald Trump bëri thirrje për veprime urgjente për të parandaluar dhunën me armë dhe tha se të gjithë amerikanët duhet të "dënojnë racizmin, fanatizmin dhe supremacizmin e bardhë". Komentet vijnë pas vrasjeve masive me armë zjarri në Teksas dhe Ohajo, ku humbën jetën 29 vetë dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.

"Këto ideologji të gabuara duhet të mposhten," tha Presidenti Trump në Shtëpinë e Bardhë. "Urrejtja nuk ka vend në Amerikë. Urrejtja mjegullon mendjen, shkatërron zemrën dhe gllabëron shpirtin," tha ai.

Të shtunën, një njeri i armatosur vrau 20 vetë në një Walmart të El Pasos në Teksas, ngjarje që autoritetet e quajtën krim të urrejtjes me motive racore. Vetëm 13 orë më vonë, një tjetër njeri i armatosur në qendër të Dejtonit, në shtetin Ohio, vrau nëntë njerëz.

Presidenti Trump tha se ligjet e shëndetit mendor duhet të reformohen për të identifikuar më mirë individët me probleme mendore. Ai bëri thirrje për zbatimin e dënimit kapital për ata që kryejnë vrasje masive dhe krime të urrejtjes.

Presidenti Trump tha se kishte udhëzuar Departamentin e Drejtësisë të punojë me autoritetet lokale dhe kompanitë e mediave sociale për të zbuluar vrasësit para se të godasin. Ai tha se interneti, media sociale dhe videolojërat e dhunshme kanë ndihmuar në radikalizimin e njerëzve.

Po sot, Presidenti Trump u kërkoi ligjvënësve të vendosin kontrolle të forta mbi blerësit e armëve, duke lënë të kuptohet se kjo mund të bëhet paralelisht me reformën e imigracionit./VOA/

EMISIONET