Trump: Sot, më të fortë se kurrë

Trump: Sot, më të fortë se kurrë

Amerika festoi të enjten festën e saj të pavarësisë mes avionëve, tankeve, paradave ushtarake, brohoritjeve dhe fishekzjarrëve. Presidenti Donald Trump me një fjalim patriotik dhe jopolitik kujtoi veprën e heronjve që kërkuan mëvetësinë e vendit nga perandoria britanike 243 vite më parë.

Me avionë luftarakë në qiell, me tanke të rënda dhe parada masive në tokë, Shtetet e Bashkuara festuan të enjten 243-vjetorin e pavarësisë.

Duke sfiduar reshjet e shiut, presidenti amerikan, Donald Trump, iu drejtua mijëra qytetarëve të mbledhur në memorialin e Abraham Linkolnit në Uashington.

Me udhëheqësit ushtarakë pas shpine, kreu i Shtëpisë së Bardhë iu shmang retorikës politike, duke u fokusuar vetëm te mesazhet patriotike dhe të unitetit kombëtar.

Trump: "Sot festojmë historinë, njerëzit dhe heronjtë e ushtrisë që e mbrojtën me krenari flamurin tonë. E ardhmja na takon ne guximtarëve, krenarëve dhe popullit të lirë amerikan. Sot ne jemi më të fortë se kurrë."

Fjalimi i Trump ishte i pari pas gati shtatëdhjetë vitesh që mbahet me këtë rast në parkun e Uashingtonit.

Disa nga kandidatët demokratë për presidentë të ardhshëm, e kritikuan shfaqjen militariste dhe kthimin e përvjetorit të pavarësisë në një tubim politik.

Socialisti Bërni Sendërs shtoi se kostot për ekspozimet ushtarake mund t'u ishin shpërndarë mbi 40 milionë të varfërve dhe atyre në nevojë.

Protesta sporadike u mbajtën në të gjithë Uashingtonin.

Aktivistë kundër luftës protestuan me një balonë që përqeshte presidentin Trump me format e një foshnje, ndërsa përpara Shtëpisë së Bardhë u arrestuan dy persona që dogjën një flamur të Amerikës.

Përvjetori i 243-të i pavarësisë së SHBA-ve nga perandoria britanike u përmbyll në mbrëmje me një spektakël fishekzjarrësh që ndriçoi qiejt e vrenjtur të Uashingtonit.

EMISIONET