Trump sinjalizon se nuk do ta ndëshkojë princin saudit

Trump sinjalizon se nuk do ta ndëshkojë princin saudit

Presidenti Donald Trump sinjalizoi të martën se nuk do të ndërmarrë veprime të ashpra kundër Arabisë Saudite ose princit të saj të kurorës Mohammed bin Salman lidhur me vrasjen dhe copëtimin e trupit të gazetarit të Washington Post-it Jamal Khashoggi.

Shtëpia e Bardhë është përpjekur të gjejë një pikë të mesme ndërmjet perceptimit të përhapur se ka qenë princi i kurorës që urdhëroi vrasjen e gazetarit dhe dëshirës për të mbështetur Arabinë Saudite në përparësitë e politikës së jashtme bashkë me nevojën për të ruajtur marrëdhëniet e ngushta me princin Bin Salman.

Në një deklaratë të shoqëruar me thirrjen "Amerika e Para!", Presidenti Trump tha se Shtetet e Bashkuara synojnë të mbeten një "partner i palëkundur" i Arabisë Saudite edhe pse Princi i Kurorës Saudite Mohammed bin Salman mund të ketë patur dijeni rreth planit për të vrarë gazetarin Khashoggi.

Ai la të kuptohet se nuk kishte ndërmend të anulonte kontratat ushtarake me Riadin, duke thënë, "nëse nuk veprojmë me mend dhe heqim dorë nga këto kontrata, Rusia dhe Kina do të ishin përfituesit e mëdhenj”.

Presidenti tha se "agjencitë amerikane të inteligjencës vazhdojnë të vlerësojnë të gjithë informacionin, por ka shumë mundësi që Princi i Kurorës të ketë patur dijeni për këtë ngjarje tragjike - ndoshta ka patur, ndoshta jo!”

"Megjithatë," vazhdon deklarata e Presidentit Trump, "ne ndoshta nuk do t’i dimë kurrë të gjitha faktet që kanë të bëjnë me vrasjen e z. Jamal Khashoggi, por gjithsesi, marrëdhënia jonë është me Mbretërinë e Arabisë Saudite. Ata vazhdojnë të jenë një aleat i madh në luftën tonë të rëndësishme kundër Iranit."

Presidenti Trump pritej të merrte të martën një raport të CIA-s mbi vrasjen e Khashoggit.

Një zyrtar i lartë i administratës tha se raporti, i dorëzuar në formë fizike, vlerëson të gjitha informacionet e mbledhura deri tani, por pa dhënë një konkluzion përfundimtar.

Raporti vjen shtatë javë pasi Khashoggi, baba i katër fëmijëve, hyri në konsullatën saudite në Stamboll më 2 tetor për të kërkuar dokumente martese, ku u vra dhe më pas trupi i tij u copëtua.

EMISIONET