Trump shtyn vendimin për tarifat e çelikut dhe aluminit

Trump shtyn vendimin për tarifat e çelikut dhe aluminit

Presidenti Donald Trump do të vendosë pas 30 ditësh nëse Shtetet e Bashkuara do të tarifojnë importet e çelikut dhe aluminit. Bashkimi Europian, Kanadaja dhe Meksika kanë kohë deri më 1 qershor për të negociuar lidhur me këtë çështje, ndërkohë Argjentina, Brazili e Australia kanë arritur parimisht marrëveshjen për përjashtim të përhershëm nga plani tarifor.

Administrata Trump ka shtyrë vendosjen e tarifave mbi çelikun dhe aluminin për Kanadanë, Bashkimin Europian dhe Meksikën deri në 1 qershor.

Një marrëveshje në parim për përjashtim të përhershëm nga tarifat është arritur edhe me Argjentinën, Brazilin dhe Australinë, sipas një deklarate nga Shtëpia e Bardhë.

“Administrata është përqëndruar në vendosjen e kuotave që do të frenojnë importet, do të parandalojnë transferimet dhe do të mbrojnë sigurinë kombëtare,” thuhej në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.

Vendimi vjen pak ditë pas vizitave të presidentit francez dhe kancelares gjermane në Shtetet e Bashkuara si dhe vetëm disa orë përpara se të skadonte afati i 1 majit, për përjashtimin e përkohshëm të disa vendeve nga ky plan tarifor.

Në 23 mars, Donald Trump vendosi tarifa prej 25% ndaj importeve të çelikut dhe 10% ndaj aluminit, por garantoi përjashtim të përkohshëm për disa vende.

Presidenti amerikan rijetësoi një ligj tregtar të vitit 1962 për të mbrojtur prodhuesit amerikanë të çelikut dhe aluminit, në një kohë kur ka botërisht një tepricë të të dy metaleve, gjë që i fajësohet mbiprodhimit të tyre në Kinë.

Tarifat, të cilat kanë rritur tensionet mes partnerëve tregtarë të Shteteve të Bashkuara në mbarë botën, kanë si qëllim t’i lejojnë industrisë amerikane të çelikut dhe aluminit të rrisë normat e shfrytëzimit të kapacitetit mbi 80%, për herë të parë pas shumë vitesh.

EMISIONET