Përmes një postimi surprizë në llogarinë e tij në Twitter, presidenti Donald Trump ka lajmëruar shkarkimin e Rex Tillerson nga posti i Sekretarit të Shtetit. 65-vjeçari ish-shef ekzekutiv i kompanisë së naftës ExxonMobil, e mori këtë rol vetëm një vit më parë

Vendin e Tillerson do ta zerë drejtori i CIA-s Mike Pompeo.

Ndërkohë Trump ka njoftuar se, Gina Haspel do të jetë drejtoresha e CIA-s, e cila bëhet drejtoresha e parë femër në këtë institucion. 

“Faleminderit Rex Tillerson për shërbimin ndaj vendit. Gina Haspel do të bëhet drejtorja e re e CIA-s, e para grua në këtë detyrë. Urime të gjithëve,” shkruajti presidenti në një postim në Twitter.

Kjo lëvizje e rëndësishme në administratën Trump vjen në një kohë kur po përgatiten edhe bisedimet me Korenë e Veriut, ku pritet të zhvillohet edhe një takim mes presidentit Trump dhe liderit koreano- verior Kim Jong-un.

Mandati i veshtire

Mandati i Tillerson si kryediplomat i Shteteve të Bashkuara ka qenë jo pak i vështirë, teksa ai ka patur një sërë mosmarrëveshjesh publike me presidentin Donald Trump.

Prej kohësh, mediat amerikane raportonin për një përçarje në administratën Trump, mes kreut të Uashingtonit dhe diplomatit të tij më të lartë. Tetorin e vitit të kaluar, Tillerson u detyrua të thërriste një konferencë për shtyp për të mohuar raportimet se ai mendonte dorëheqjen. Gjatë të njëjtës periudhë, Trump publikisht nënvlerësoi ish-shefin e Exxon duke shkruar se ai po harxhonte kohën duke u përpjekur të negocionte me Korenë e Veriut.

Përplasjet mes dy zyrtarëve kanë vijuar edhe më tej, me reagimin e Tillerson se presidenti nuk kuptonte as gjërat më minimale nga politika e jashtme, ndërkohë që Trump raportohej se ishte gjithnjë i irrituar me gjuhën e trupit që Tillerson shfaqte gjatë takimeve.

The Washington Post raportoi se presidenti Trump i kishte kërkuar Tillerson të hiqte dorë nga detyra të premten e javës së kaluar, gjë që duket se ka detyruar diplomatin të ndërpresë edhe udhëtimin e tij në Afrikë.  

Zyrtarë nga Shtëpia e Bardhë deklarojnë se shkarkimi i Tillerson vjen në një kohë kur presidenti Trump përgatitet për bisedimet e ardhshme me Korenë e Veriut, për të cilat kërkon të ketë në dispozicion një skuadër të re. Ndërkohë, sipas zyrtarëve të Departamentit të Shtetit, Tillerson nuk ka biseduar me presidentin Trump dhe nuk është në dijeni të arsyes së shkarkimit nga posti i tij.

Rex Tillerson u emërua në këtë detyrë pak më shumë se një vit më parë.

/Ora News.tv/