Për presidentin amerikan Donald Trump, diskutimet me homologun e tij rus Vladimir Putin kanë qenë të mira. Dy liderët nuk zhvilluan bisedime zyrtare dypalëshe gjatë Samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor të mbajtur në Vietnam, por u ndeshën me njëri-tjetrin në tre raste. Sipas zotit Trump, ata biseduan për krizën në Siri dhe pretendimet për ndërhyrje në zgjedhjet amerikane.

Përmes Twitter-it, Trump akuzoi të gjithë ata që nuk inkurajojnë marrëdhëniet e mira mes palëve.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë madje deklaroi se Rusia nuk ka ndikuar në votimin presidencial të një viti më parë, por pas kritikave me të cilat u prit kjo deklaratë, presidenti sqaroi se ai i beson konkluzioneve të nxjerra nga agjensitë amerikane të inteligjencës, të cilat pohojnë se Moska ka ndërhyrë në zgjedhje në favor të zotit Trump.

Në mënyrë kontradiktore, kreu amerikan i shtetit shtoi se Putin beson atë që sipas tij është e vërteta, ndërkohë që nuk kurseu as kritikat për paraardhësin e tij në detyrë, Barack Obama, që sipas tij nuk kishte afrimitet me presidentin rus.

Edhe zoti Putin i cilësoi bisedimet mes palëve si të dobishme, ndërkohë që e përshkroi homolgun e tij amerikan si një person civil dhe të edukuar. Lideri i Moskës gjithsesi shtoi se ka ende nevojë për më shumë kontakte mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara për të diskutuar çështje si siguria dhe zhvillimi ekonomik.

/Oranews.tv/

/Ora News.tv/