Presidenti Trump pritet të njoftojë sot përzgjedhjen e tij për anëtarin e ri në Gjykatën e Lartë, për të zëvendësuar gjykatësin Anthony Kennedy që po del në pension. 

Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jim Malone, njoftimi ka të ngjarë të nxisë një betejë të madhe të konfirmimit në Senat, ku republikanët kanë një shumicë të ngushtë, ndërsa demokratët e opozitës po planifikojnë të luftojnë kundër të emëruarit të zotit Trump.

Gjatë një tubimi në Montana, Presidenti Trump u përpoq të krijonte pritshmëri mes mbështetësve lidhur me njoftimin e tij për Gjykatën e Lartë.

“Sikurse e dini, Gjykata e Lartë ka një vend bosh. Të hënën në orën 9 do të njoftoj mbi përzgjedhjen time, mendoj se do të jeni tepër të kënaqur, apo jo? Të gjithë janë të shkëlqyeshëm.”

Presidenti Trump do të emërojë zëvendësuesin për gjykatësin Anthony Kennedy që po del në pension. Përgjithësisht konservator, zoti Kennedy megjithatë, hodhi votën me rëndësi kritike për një numër çështjesh të rëndësishme, përfshirë martesën brenda së njëjtës gjini dhe mbajtjen në fuqi të së drejtës për abort.

Demokratët janë zotuar se do të rezistojnë për një kandidat, i cili mund ta bëjë Gjykatën e Lartë edhe më konservatore, mes tyre Senatorja Amy Klobuchar nga Minesota.

“Është më e rëndësishme që të zgjedhim një person me integritet, dhe që do të marrë vendime bazuar në sundimin e ligjit dhe jo një person ideologjik.”

E kaluara e zotit Kennedy për hedhjen e votës në raste kritike lë një boshllëk, thotë analisti Jonathan Turley.

“Ai largohet nga gjykata kur e djathta dhe e majta janë ngurtësuar pa askënd në mes.”

Konservatorët e shohin rastin për të forcuar shumicën në Gjykatën e Lartë për vitet që vijnë, thotë eksperti John Fortier.

“Mendoj se shumë nga e djathta ndihen se Anthony Kennedy, edhe pse anonte kryesisht nga ana konservatore, ka treguar me disa votime të tij se ishte i hapur dhe se, i emëruari nga Donald Trump do të bëjë që gjykata të jetë më e vendosur, me pesë vota në krahun konservator.”

Një kandidat i palëkundur konservaor do të nxisë një betejë të ashpër në Senat, thotë analisti juridik Paul Schiff Berman.

“Mendoj se nuk kemi parë raste të tilla kaq të diskutueshme sa ky, duke marrë parasysh rëndësinë e pozitës së zotit Kennedy në gjykatë dhe polarizimit gjithnjë e më të madh të vendit.”

Propozimi i Presidentit Trump duhet të konfirmohet nga Senati, ku republikanët gëzojnë një epërsi të ngushtë 51 me 49 vende. /VOA/

/Ora News.tv/