Presidenti Donald Trump dhe bashkëshortja Melania vizituan qytetet amerikane të Dejtonit dhe El Pasos, të tronditur në fundjavë nga dy sulme me armë.

Vizitat e kryeshtetarit u shoqëruan me protesta, veçanërisht më qytetin me shumicë hispanoamerikane të Teksasit.

Ndërsa makina e tij kalonte në rrugë, aktivistët mbanin pankarta ku e akuzonin për racizëm, si shkaktar të sulmeve dhe se nuk ishte i mirëseardhur.

Në ndalesat pa praninë e medieve, kreu i Shtëpisë së Bardhë vizitoi në spital të plagosurit që i mbijetuan masakrave, të afërmit e 31 viktimave në një qendër tregtare dhe klub nate, si edhe forcat lokale të policisë dhe ato të shpëtimit.

Në deklaratat përpara takimeve, Trump paralajmëroi masa për ashpërsimin e rregullave të armëmbajtjes, që ato të mos bien më në duart e personave të rënduar psikologjikisht.

"Të dyja kampet politike, si republikanët edhe demokratët, janë të idesë se armët nuk duhen shitur pa një dëshmi penaliteti apo verifikim të rreptë të personalitetit të personave. Për këtë mund të kemi një ligj bipartizan," u shpreh Trump.

Megjithatë ai refuzoi akuzat politike se retorika e tij e fortë kundër emigrantëve të paligjshëm, që ishin edhe objektivi i sulmit në El Paso, kishte nxitur dhunën e ditëve të fundit.

/Ora News.tv/