Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar largime nga administrata e drejtësisë, duke u shprehur se do të pastrojë duhmat e vjetra. Madje ai u zotua të premten që t’i japë fund qëllimeve tinëzare të Departamentit të Drejtësisë për ta larguar atë nga pushteti.

Duke folur në një tubim të madh në shtetin e Misurit, kreu i zyrës ovale u tha mbështetësve se ai vazhdonte të besonte te ndershmëria e njerëzve të Departamentit, por në zyrat e shtetit kishte ende njerëz që po punonin prapa shpinës së tij.

Edhe pse nuk iu referua asnjë personi me emër, Trump tha se do të mjaftonte të shikoje sa shumë largime ka pasur mes radhëve të funksionarëve të lartë nga Zyra Federale e Hetimeve (FBI) që kur ai mori detyrën për të kuptuar qëndrimet e tyre politike.

Pak orë më herët, gazeta Nju-Jork Tajms dhe burime të agjencisë së lajmeve CNN patën raportuar se zëvendës-prokurori i përgjithshëm, Rod Rozenshtain, kishte regjistruar fshehtas disa biseda me kreun e zyrës ovale dhe anëtarët e kabinetit të tij.

Vetë zëvendës-prokurori Rozenshtain i ka konsideruar absolutisht të gënjeshtërta lajmet e publikuara duke thënë se ai nuk ka asnjë regjistrim të paautorizuar me presidentin Trump dhe as nuk e ka menduar ndonjëherë të komplotojë kundër tij.

/Ora News.tv/