Trump paralajmëron qeverinë siriane: Raketat i kemi gati nëse përdor armë kimike

Trump paralajmëron qeverinë siriane: Raketat i kemi gati nëse

Shtetet e Bashkuara janë gati të godasin sërish Sirinë, nëse kryhen sulme të tjera kimike. Ka qenë ky paralajmërimi i presidentit amerikan Donald Trump, vetëm një ditë pasi SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca lëshuan dhjetëra raketa mbi tre zona siriane, në përgjigje të një sulmi të dyshuar kimik në qytetin e Doumas, një javë më parë. 

Qeveria e Sirisë ka mohuar përdorimin e substancave kimike ndërkohë që ka deklaruar se sulmi në fjalë është shpikur nga rebelët.

Aksioni i një dite më parë përfaqëson ndërhyrjen më të rëndësishme të fuqive perëndimore kundër qeverisë së presidentit Bashar al-Assad, në luftën civile 7-vjeçare të Sirisë. Edhe pse Perëndimi i ka mbështetur rebelët që në fillim të kësaj lufte, fuqitë asnjëherë nuk janë përfshirë drejtpërdrejt në Siri. 

Rusia, aleate e qeverisë së Assad e kritikoi ashpër ndërhyrjen e së shtunës, ndërkohë që i kërkoi Këshillit të Sigurimit të OKB të dënonte këtë sulm, mocion i cili nuk u pranua.

Zhvillimet e dhunshme të këtyre ditëve të fundit janë kritikuar edhe nga Papa Françesku, i cili i ka kërkuar liderëve botërorë të shtojnë përpjekjet për të sjellë paqen në Siri, duke shprehur shqetësim të thellë për mosarritjen e një plani të përbashkët që do t’i jepte fund gjakderdhjes.


EMISIONET