Trump nuk tërhiqet

Trump nuk tërhiqet

Presidenti amerikan Donald Trump është përpjekur të pushojë këshilltarin e posaçëm Robert Mueller, por ai u tërhoq nga ky hap pas kërcënimit për dorëheqje nga një anëtar i skuadrës ligjore të Shtëpisë së Bardhë. 

Kështu raporton e përditshmja amerikane The New York Times, që citon katër individë anonimë pranë kësaj çështjeje. Sipas artikullit të së përditshmes, këshilltari i Shtëpisë së Bardhë Donald McGahn u shpreh se shkarkimi i Mueller do të kishte pasoja katastrofike për presidencën.

Kujtojmë se Robert Mueller është personi që po drejton hetimin për lidhjet e mundshme mes Rusisë dhe fushatës Trump në zgjedhjet presidenciale amerikane. Ai u caktua në postin e këshilltarit të posaçëm majin e vitit të kaluar, pak pas shkarkimit nga detyra të ish-shefit të FBI, James Comey.

The New York Times raporton se zoti Mueller është vënë në dijeni të kësaj situate në muajt e fundit, kur skuadra e tij ka marrë në pyetje zyrtarë të mëparshëm dhe aktualë të Shtëpisë së Bardhë. Ndërkohë që shtoheshin dyshimet se Mueller po ndërtonte një çështje për pengim të hetimit nga presidenti, Trump raportohet të ketë argumentuar se këshilltari i posaçëm kishte tre konflikte interesi të cilat e bënin atë jo të përshtatshëm për të drejtuar hetimin.

Prej kohësh, mediat amerikane sugjerojnë se presidenti mund të shkarkojë këshilltarin e posaçëm, pretendime të cilat janë mohuar nga vetë Trump. Dy ditë më parë, kreu i Uashingtonit madje shprehu gatishmërinë e tij për t’u marrë në pyetje nën betim nga hetimi Mueller.

EMISIONET