Djali i madh i presidentit amerikan Donald Trump dhe bashkëshortja e tij Vanessa po shkojnë drejt divorcit. Lajmin e ka konfirmuar vetë çifti përmes një deklarate të përbashkët për shtyp.

Jo vetëm ndryshime në kabinetin Trump, por edhe në familjen e presidentit. Djali i madh i kreut amerikan të shtetit, Donald Trump Jr. dhe bashkëshortja Vanessa duket se po shkojnë drejt divorcit.

Ish-modelja raportohet se ka kërkuar një divorc të pakontestueshëm në një gjykatë në Nju Jork, për t’i dhënë fund martesës 13-vjeçare mes saj dhe Trump Jr.

Në një deklaratë të përbashkët, Vanessa dhe Donald lajmëruan se kanë vendosur secili të ndjekin rrugën e tyre dhe se të dy kanë respekt të madh për njëri-tjetrin.

Çifti, të dy 40 vjeç janë martuar që në 2005-n dhe kanë 5 fëmijë bashkë.

Më herët këtë vit, mediat amerikane raportuan se çifti kishte probleme në martesën e tyre, duke veçuar udhëtimet e shpeshta të Trump Jr. si burim për këtë situatë mes tyre.

Një muaj më parë, Vanessa Trump dhe mamaja e saj u dërguan në spital si masë paraprake, pasi 40-vjeçarja hapi një letër drejtuar bashkëshortit të saj, që në përmbajtje kishte një pluhur të bardhë të paidentifikuar. Substanca rezultoi në fund jo e rrezikshme.




/Ora News.tv/