Presidenti amerikan Donald Trump ka ironizuar kryeministren britanike Theresa May, duke i kërkuar të përqëndrohet në terrorizmin islamik që po shkatërron Mbretërinë e Bashkuar. Reagimi i kreut të Uashingtonit erdhi pas kritikave të May lidhur me disa video ekstremiste të shpërndara nga presidenti Trump.

“Mos u përqëndro tek unë, por tek Terrorizmi Radikal Islamik që po ndodh në Mbretërinë e Bashkuar.”

Ka qenë ky mesazhi i presidentit amerikan Donald Trump për kryeministren britanike Theresa May, e cila kritikoi faktin se Trump shpërndau disa video ofenduese të një grupi britanik të ekstremit të djathtë, në llogarinë e tij personale në Twitter.

Përmes një zëdhënësi të zyrës së saj, May u shpreh se veprimi i presidentit amerikan ishte i gabuar.

Videot e shpërndara nga zoti Trump, i cili numëron më shumë se 40 milionë ndjekës në Twitter, u postuan origjinalisht nga Jayda Fransen, zv/kryetare e Britain First, një grupi të themeluar nga anëtarë të Partisë Kombëtare Britanike.

Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar janë aleatë tepër të afërt dhe shpesh thuhet se ndajnë një “marrëdhënie të veçantë” mes tyre.

Theresa May madje ishte liderja e parë e huaj që vizitoi Shtëpinë e Bardhë pasi Trump mori detyrën e presidentit.

Është e pazakontë që një president amerikan të qortojë publikisht udhëheqësin e një aleati kyç siç është Britania.

Kjo kontradiktë ka nxitur disa politikanë britanikë që të kërkojnë anulimin e vizitës së planifikuar të Trump në Mbretërinë e Bashkuar, edhe pse zyra e kryeministres May ka deklaruar se ftesa për kreun e Uashingtonit është ende e vlefshme.

/Ora News.tv/