Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka akuzuar Kinën se ka lejuar transportimin e naftës drejt Koresë së Veriut, në kundërshti me sanksionet e vendosura nga Kombet e Bashkuara. Por Kina mohon të ketë shkelur këto masa ekonomike të vendosura ndaj regjimit koreano-verior, pas testimeve të vazhdueshme të raketave balistike.

Presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur zhgënjimin e tij me Kinën, pas raportimeve se vendi ka lejuar transportimin e naftës drejt Koresë së Veriut.

Në një postim në faqen e tij në Twitter, zoti Trump u shpreh se Kina është “zënë në faj”.

Për Presidentin amerikan, kriza koreano-veriore nuk mund të ketë një zgjidhje miqësore, në rast se lejohet eksportimi i naftës drejt Penianit, në kundërshti me sanksionet e vendosura nga Kombet e Bashkuara.

Reagimi i presidentit Trump erdhi pas raportimeve të mediave koreano-jugore, se cisternat kineze kanë transportuar në mënyrë të fshehtë naftë për anijet e Koresë së Veriut.

Sipas zyrtarëve qeveritarë jugorë, këto transferta ilegale janë filmuar nga satelitët amerikanë rreth 30 herë që prej muajit tetor.

Por Kina mohon të ketë shkelur sanksionet ekonomike të vendosura së fundmi ndaj Koresë së Veriut.

Pekini ka ripërsëritur mbështetjen për çdo rezolutë të OKB ndaj Penianit, pavarësisht faktit se është partneri kryesor tregtar i Koresë së Veriut. Kujtojmë se vendi i izoluar është subjekt i masave të ashpra të vendosura jo vetëm nga OKB, por edhe nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara.

/Ora News.tv/