Presidenti Trump ka patur dijeni për pagesat e jashtëligjshme që janë bërë në drejtim të dy grave që kanë patur raporte intime me të, në këmbim të heshtjes së tyre. Të paktën ky është pretendimi i ish-avokatit të Presidentit, Michael Cohen. Gjithësesi, lideri i Uashingtonit ka hedhur poshtë akuzat duke thënë se përgjegjësia i takon e gjitha avokatit, pasi ai paguhet për të bërë punën konform legjislacionit.

Pasi është dënuar me tre vite burgim, ish-avokati i Presidentit Trump, Michael Cohen, ka deklaruar se lideri aktual i Uashingtonit ka qënë në dijeni se pagesat e jashtëligjshme që janë bërë në drejtim të dy grave në këmbim të heshtjes së tyre. Ish-përfaqësuesi ligjor i kreut të Shtëpisë së Bardhë, deklaroi se kishte marrë udhëzimin për të kryer transaksionet, pavarësisht se e kishte paralajmëruar Trumpin mbi natyrën e këtij veprimi.

“Ai më drejtoi që t’i bëja këto pagesa pavarësisht paralajmërimit. Ai më drejtoi që të bëja pagesat dhe më përfshiu në këtë aktivitet të jashtëligjshëm. I dhashë besim një personi që vërtet nuk e meriton besimin. Po tani çdo gjë është e qartë. Qytetarët e Shteteve të Bashkuara nuk besojnë asgjë nga ato që ai thotë. Ky burrë nuk thotë të vërtetën dhe duhet të mbajë përgjegjësi.”

Pagesat janë bërë në drejtim të pornostares, Stormy Daniels dhe ish-modeles së PlayBoy, Karen McDougal. Gjithësesi, Presidenti Trump ka mohuar akuzat nëpërmjet një postimi në rrjetin social tvvitter, ku shkroi se “nuk e ka drejtuar asnjëherë Michael Cohenin që të thyejë ligjin”. “Ai është një avokat dhe supozohet ta njohë ligjin. Quhet këshillim ligjor dhe një avokati ka përgjegjësi nëse bëhet një gabim. Për këtë punë ata paguhen” shkruan Trump në postimin e tij. Gjithësesi, mbetet të shihet se si do të procedohet me këtë çështje.

/Ora News.tv/