Në një marrëveshje të nënshkruar të martën në Singapor, lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, "riafirmoi angazhimin e tij të vendosur dhe të palëkundur për denuklearizimin e plotë të Gadishullit Korean", ndërsa Presidenti i SHBA Donald Trump “u zotua të ofrojë garanci për sigurinë” në Korenë e Veriut.

Dokumenti gjithashtu bën thirrje që të dy vendet të bashkojnë përpjekjet për të ndërtuar një paqe të qëndrueshme në Gadishullin Korean, për të krijuar marrëdhënie të reja mes SHBA-së dhe Koresë së Veriut dhe për të rimarrë eshtrat e të burgosurve të luftës dhe të anëtarëve ushtarakë që konsiderohen të zhdukur. 

Të dy palët premtuan gjithashtu se do të vijojnë bisedimet mes tyre.

"Ne do të kujdesemi për një problem shumë të madh dhe shumë të rrezikshëm për botën," tha presidenti Trump

I ulur në krah të Kim-it, në ceremoninë e nënshkrimit, presidenti Trump tha se të dy udhëheqësit "kanë zhvilluar një lidhje të veçantë" dhe se pas disa orësh bisedimesh të martën dhe nënshkrimin e marrëveshjes ai mendon se marrëdhënia e SHBA me Korenë e Veriut "do të jetë shumë më ndryshe nga e kaluara. "

Të dy udhëheqësit, Trump dhe Kim, shprehën mirënjohje reciproke ndaj njëri-tjetrit për takimet, dhe presidenti Trump tha se "absolutisht" do të ftojë Kim Jong Un-in për të vizituar Shtëpinë e Bardhë.

"Sot patëm një takim historik dhe kemi vendosur të lëmë pas të kaluarën," tha Kim duke folur përmes një përkthyesi. 

"Bota do të shohë një ndryshim të madh."

Menjëherë pas ceremonisë së nënshkrimit Kim u largua nga ishulli Sentosa i Singaporit.

 Trump dhe Kim: Shtrëngim duarsh historik

Nënshkrimi i marrëveshjes mes palëve erdhi pas takimit historik mes dy Presidentëve, të cilët shtrënguan duart të martën në mëngjes në një hotel të Singaporit, para se të fillonin bisedimet rreth denuklearizimit të mundshëm të gadishullit Korean.

Nën shkrepjet e dhjetëra kamerave, dy udhëheqësit u takuan përpara një sfondi me flamuj amerikanë dhe koreanoveriorë në një ngjarje të pashembullt – takimi i parë i një presidenti aktual amerikan dhe një udhëheqësi të Koresë së Veriut.

Ndërsa fillonte takimi i nivelit të lartë, Presidenti Trump parashikoi se ai do të kishte një "marrëdhënie të shkëlqyer" me udhëheqësin Kim Jong Un, i cili tha nga ana e tij se ai dhe zoti Trump "kishin ardhur aty pas tejkalimit të të gjitha pengesave”.

Autokolona e zotit Trump arriti e para në Hotel Capella në ishullin turistik Sentosa të Singaporit. Autokolona e Kim Jong Unit arriti disa minuta më vonë.

Fillimisht, bisedimet u zhvilluan kokë më kokë me praninë vetëm të përkthyesve.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se çdo marrëveshje që mund të arrihet duhet të ketë si rezultat dhënien fund të kërcënimit që përbëjnë armët bërthamore dhe raketat balistike të Koresë së Veriut.

Për të ndjekur takimin historik, në Singapor ndodhen rreth 5,000 gazetarë, por vetëm një grup i vogël reporterësh amerikanë dhe koreanoveriorë u lejuan të ndjekin momentin kur të dy udhëheqësit përshëndetën njëri-tjetrin.

Presidentit Trump largohet nga Singapori mbrëmjen e së martës me orën lokale, njoftoi Shtëpia e Bardhë.


/Ora News.tv/