Presidenti amerikan Donald Trump ka pranuar ftesën historike të liderit koreano-verior Kim Jong-un për bisedime. Dy krerët e shtetit pritet të takohen në maj, gjë që shënon një zhvillim pozitiv pas tensioneve të mëdha mes palëve. Përveç lajmit të mirë se liderët do të takohen, Koreja e Veriut ka premtuar të heqë dorë nga programi bërthamor dhe testimet e raketave.

Pas muajsh armiqësie reciproke, lideri koreano-verior Kim Jong-un dhe presidenti amerikan Donald Trump do të takohen personalisht në maj. Lajmi i mirë është përcjellë nga këshilltari koreano-jugor i sigurisë kombëtare Chung Eui-yong, i cili vizitoi presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë, së bashku me delegacionin që udhëtoi drejt Penianit më herët gjatë kësaj jave.

Zoti Chung raportohet t’i ketë komunikuar kreut amerikan të shtetit mesazhin se Kim Jong-un është i gatshëm të heqë dorë nga programi bërthamor dhe se Koreja e Veriut nuk do të kryejë më testime bërthamore apo të raketave.

Presidenti Trump më parë ka deklaruar gatishmërinë për t’u takuar me liderin Kim vetëm nën rrethana të caktuara, edhe pse shpesh ka lënë të kuptohet se koha për të tilla bisedime nuk ka qenë e duhura. Trump ka ofenduar liderin verior dhe madje ka përqeshur përpjekjet e anëtarëve të administratës së tij për të negociuar me Penianin.

Sidoqoftë, pavarësisht faktit se presidenti amerikan ka pranuar ftesën e Kim për bisedime, sanksionet ndaj Veriut do të mbeten në fuqi deri në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare mes palëve.

Presidenti koreano-jugor Moon Jae-in e mirëpriti lajmin duke e quajtur “një mrekulli” dhe “arritje historike”.

“Nëse presidenti Trump dhe lideri Kim takohen pas samitit ndër-korean, denuklearizimi i plotë i gadishullit korean do të jetë në rrugën e duhur,” u shpreh Moon.


/Ora News.tv/