Nuk duhet të jesh ndonjë specialist zëri për të kuptuar se një hangar laboratori nuk mund të bëhet teatër pasi një teatër konceptohet i tillë që nga fillimi.

Nuk duhet të jesh urbanist që të konstatosh se Teatri Kombëtar nuk mund të plaset në ekstrem të qytetit, pa infrastrukturë mbështetëse, sheshe, dhe në mes godinave shumëkatëshe.

Dhe nuk duhet të jesh kritik i Edi Ramës për të dyshuar se kjo zhvendosje domino që po bëhet është si loja me tre kupa që fshihnin një top dhe ti duhet ta gjeje se ku fshihet topi pasi lojtari i lëviz disa herë. Kemi të bëjmë me një rrëmbim toke nga ana e Edi Ramës për të bërë ndërtime.

Shkaku i gjithë kësaj kostoje politike që merr Rama me lëvizjet e fundit tek rasti i teatrit, kopshtit “Shtatë xhuxhat”, stadiumi kombëtar, hyrja e komundës së Parisit, vjen për një shkak shumë të thjeshtë:

Me pakësimin e shesheve të ndërtimit brenda unazës së vogël, ndërtuesit janë të detyruar të hyjnë në marrëveshje me pronarët privatë të tokave. Por këta kërkojnë mbi 40% të objektit. Me çmimet aktuale të shitjes për m2 dhe rënien e fuqisë blerëse, këta nuk kanë leverdi. Atëhere këtu fillon manovra duke marrë toka publike të cilat sado shtrenjtë t’i paguajnë, janë më me leverdi sesa privati.

Në rastin e Teatrit Kombëtar, i cili në fillesat e tij është ndërtuar nga italianët si objekt i përkohshëm, toka është blerë prej tyre. Sot i bie që është pronë publike. Ndërtimi i kullës në mes të Tiranës, palë do të ketë shtetin i cili iu kërkon vetëm një sallë teatri. Sallë e cila ka shumë gjasa që mos të bëhet nëse nisemi nga precedenti i kinema “Republika” apo “17 Nëntori”. Por edhe në u bëftë, norma e fitimit në këtë objekt do të jetë shumë e lartë.

Po kështu është vepruar në hyrjen e asaj që njihet si Komuna e Parisit. Hyrja e kësaj rruge u zgjerua. Por u shmang aksi i saj dhe rrethqarkullimi u spostua me disa dhjetra metra duke i marrë sipërfaqen një pronari privat i cili dëmshpërblehet me çmimet mizerabël të shtetit, kur shteti e merr për nevoja publike si rrugët. Ndërkohë mbi rrugën e vjetër, do të ndërtojë njw tjetwr mik i Ramës dhe antar i Keshillit Bashkiak te Tiranes, të cilit i është bërë e gatshme infrastruktura, duke deformuar hyrjen e një lagjeje që ka mbi 50 mijë banorë.

Eshtë i njëjti truk që u përdor tek ish uzina “Enver”, e cila ishte tokë e blerë nga italianët por u fallsifikuan dokumentet dhe tani kemi komplekset e Delijorgjit. E njëjta gjë është tek Stadiumi Kombëtar.

Me këtë ritëm, një ditë edhe godina e kryeministrisë do të përfshihet në ndonjë kullë. I vetmi kuriozitet do të jetë se cili do të jetë sebepi që do të shpikë Rama, meqënëse preteksti i qofteve është i tejkonsumuar./dritare.net

/Ora News.tv/