Tronditet çifti, lindin binjakët që u përkisnin dy çifteve të tjera

Tronditet çifti, lindin binjakët që u përkisnin dy

Një çift aziatik nga Queens ka hedhur në gjyq një maternitet në Los Angeles pasi dyshohet se sollën në jetë foshnjat e dy çifteve tjera.

Sipas dokumenteve ligjore të paraqitura në gjykatën federale të Brooklyn, çifti u martua në vitin 2012.

Pasi gruaja nuk arriti të ngelte shtatzënë, shkuan në klinikën CHA Fertility Center në Los Angeles.

Në janar 2018, çifti që u identifikua në dokumentet e gjykatës si Y.Z. dhe A.P., udhëtuan drejt Kaliforisë së Jugut për të takuar bashkëpronarët e klinikës Joshua Berger dhe Simon Hong.

Pas muajsh trajtimesh që përfshinin ilaçe, vitamina dhe një shumëllojshmëri testesh, çifti ishte në gjendje të jepte tetë embrione.

Shpenzimet e bëra nga çifti, që përfshinin udhëtimet, taksat mjekësore, tarifat e specialistëve dhe testet laboratorike, arritën në rreth 100.000 dollarë, sipas padisë.

Në korrik 2018, përpjekjet për të implantuar një embrion në A.P. dështuan, thuhet në padi.

Në gusht, çifti vendosi ta provonte përsëri. Klinika përdori dy embrione femërore dhe funksionoi. A.P arriti të mbetej shtatzënë në shtator.

Sipas dokumenteve të gjykatës, gruaja ishte shtatzënë me binjakë.

Por përkundër faktit që iu tha se klinika përdori embrione femra, çifti u hutua kur zbuloi se binjakët ishin djem.

Berger dhe Hong u përpoqën ta siguronin çiftin se nuk ishin rezultatet përfundimtare.

Sipas dokumenteve të padisë, mjekët i siguruan se do lindnin vajza.

A.P. lindi binjakët nëpërmjet lindjes cezariane në një spital në New York më 30 mars të këtij viti.

Çifti u trondit kur zbuloi se foshnjat jo vetëm ishin djem, por asnjëri prej tyre nuk ishte aziatik, sipas dokumenteve të gjykatës.

Hong dhe punonjësit e tjerë nga klinika u nisën në New York për të kryer testet gjenetike që konfirmuan se foshnjat nuk ishin të lidhura me prindërit.

Gjithashtu u konfirmua se binjakët nuk ishin të lidhur gjenetikisht me njëri-tjetrin.

Pas lindjes, Y.Z. dhe A.P. u detyruan të hiqnin dorë nga kujdestaria e dy foshnjave që iu dhanë prindërve të tyre biologjikë.

Në padi thuhet se çifti ishte viktimë e një diskriminimi të paimagjinueshëm, aq shumë saqë nuk mund të gjenin guximin dhe mënyrën për t'u treguar të tjerëve për humbjen e tyre shkatërruese.

‘Ngjarja ka lënë A.P. dhe Y.Z. me tronditje të përhershme emocionale nga e cila nuk do të shërohen kurrë', sipas padisë.

Çifti tha se nuk e dinë se çfarë ndodhi me dy embrionet femërore që duhej të ishin futur në mitrën e A.P.

EMISIONET