Treni përplas makinën në Golem, shpëton mrekullisht familja 6 anëtarëshe

Një familje me 6 anëtarë shpëtoi mrekullisht pa pasojë të rënda pasi makina me të cilën udhëtonin u mor zvarrë për rreth 50 metra nga treni i linjës Durrës-Elbasan. Aksidenti ndodhi pranë Golemit, ku mjeti me të cilin udhëtonte familja i preu rrugën trenit, nga të dhënat e para për shkak të pakujdesisë së kryefamiljarit që drejtonte mjetin. Familja me 4 fëmijë që jeton në Britaninë e Madhe mori lëndime të lehta dhe pasi mori ndihmën e parë në Spitalin e Durrësit ndodhet jashtë çdo rreziku për jetën. Policia e Durrësit tha se po punon për sqarimin e plotë të dinamikës.

Këto janë 6 anëtaret e familjes Cenalia (shikoni videon) që shpëtuan fatmirësisht me lëndime te lehta pas përplasjes së makinës me të cilën udhëtonin me trenin e mallrave të linjes Durrës-Elbasan.

Ngjarja ka ndodhur në afërsi të Përroit të Agait në Golem, ku automjeti tip “Volvo” me targa J006 SMM me të cilin udhëtonte familja me 6 anëtarë që po lëvizte nga Golemi në drejtim të Plepave, i ka prerë rrugën trenit që udhëtonte në drejtim të Rrogozhinës.

Makina u godit në pjesën fundore nga treni, i cili e ka marrë zvarrë për mbi 50 metra.

Të lënduar mbeten, Bardhyl Cenalia 40 vjeç, Lucia Cenalia ( shtetësi të huaj) 38 vjeçe, si dhe fëmijet e tyre: E.C. 4 vjeçe; D.C. 5 vjeç; L.C. 8 vjeç dhe O.C. 2 vjeç.

Nga të dhënat e para në vendngjarje, Bardhyl Cenalia që ishte drejtuesi i automjetit, ka tentuar të kalojë pikërisht pikën ku rruga kryqëzohet me shinat e trenit.

Por pavarësisht tabelave sinjalizuese, 40-vjeçari nuk ka qenë i vëmendshëm duke provuar ta kalojë me shpejtësi në krahun tjetër të rrugës, por treni i mallrave e ka marr përpara.

Ankthi dhe paniku ka qenë në nivelin maksimal, por për fat të mirë lëndimet ishin minimale krahasuar me dinamikën e ngjarjes.

Gjashtë anëtarët e familjes Cenalia u transportuan me autoambulancë drejt spitalit të Durrësit, nga ku bluzat e bardha thanë se ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Familja jetonte në Britaninë e Madhe dhe kishin ardhur në Shqipëri për pushimet verore.Ndërkohë, grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Klikoni ketu per te pare me shume foto




EMISIONET