Tre ministra të Qeverisë së Ramush Haradinajt kanë aktakuza të ngritura. E fundit është ajo e ngritur ndaj ministrit të Infrastrukturës Pal Lekaj.

Ndaj Lekajt është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Speciale nën dyshim për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

I menjëhershëm ka qenë reagimi Ministrit Pal Lekaj, i cili ka deklaruar se organet e drejtësisë kanë ngritur aktakuzë për një çështje të para 10 viteve dhe pavarësisht epilogut është i gatshëm ta respektojë një gjë të tillë.

Lekaj: Krejt çka mund të them tani për tani është se në asnjë rast e rrethanë nuk kam vepruar ndryshe përveçse në harmoni me ligjin dhe në ndihmë për qytetarët e shumtë që kanë përfituar nga subvencionet, të cilat i ka shpërndarë Komuna e Gjakovës. Ashtu siç kam qenë, do të vazhdoj të jem në krye të detyrës, për të përmbushur obligimet tona ndaj qytetarëve dhe vendit tonë. Cilido që do të jetë epilogu i organeve të drejtësisë, jam i gatshëm ta respektoj. Por nuk do të ndalemi në punën tonë, pa marrë parasysh tendencën dhe presionin.

Aktakuzë ka edhe ministri i Inovacionit Besim Beqaj.

Beqaj që vjen nga radhët e PDK-së akuzohet për veprën penale shkelje e statusit të barabartë në rastin që njihet si rasti “Pronto.

Ndërsa edhe një ministër tjetër i Qeverisë Haradinaj akuzohet për vepra penale.

Valdrin Lluka është ministër i Zhvillimit Ekonomik nga radhët e Aleancës Kosova e Re. ai akuzohet për konflikt të interesit.

Lluka, akuzohet se në cilësinë e zyrtarit të lartë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), njëkohësisht edhe Kryeshef i Agjencisë për Promovim të Investimeve, më 23 mars 2014, kishte filluar procedurat për zotimin e mjeteve në vlerë prej 20 mijë euro për Organizatën Jo-Qeveritare (OJQ) “Jakov Innovation Center”, në të cilën OJQ kishte qenë themelues.

Sot kryeministri Ramush Haradinaj në një diskutim në Fol Hapur ka thënë se nuk mund ta shkarkojë askënd në bazë të raportimeve të mediave./KosovaPress/

/Ora News.tv/