Genci Fuga, Ema Andrea dhe Laert Vasili, tre kandidatët e konkursit për Drejtorin e Teatrit Kombëtar flasin për Ora News rreth platformës për administrimin e teatrit.

Genci Fuga, Ema Andrea dhe Laert Vasili janë deri tani kandidatët për kreun e Teatrit Kombëtar. Nga njëra anë ata janë në frontin e protestave të artistëve dhe në anë tjetër u duhet të përgatisin një platformë për garën që ka hapur Ministria e Kulturës.

Genci Fuga: Do të mundohem të gjej forma të caktuara për zbutjen e "varfërisë".

Ema Andrea: Po kandidoj për këtë post sepse mendoj që do të jetë një nga  format më demokratike dhe më të pavarura të drejtimit të një institucioni kulturor dhe artistik dhe pastaj kaq të rëndësishëm sa ç'është Teatri Kombëtar.

Laert Vasili: I bindur tek aftësitë, përvoja ime, tek bashkënimet e mia prej 20 vitesh në skenat europiane. Besoj se Teatri shqiptar ka nevojë për bashkëpunime dhe një përvojë europiane.

Ministria e Kulturës kërkon një drejtues të aftë para së gjithash për të ndërtuar një kalendar të rregullt artistik me shfaqje repertori dhe për të zgjeruar audiencat.

Genci Fuga: Dua dhe insistoj duke njohur audiencën e Teatrit, të ketë një përkushtim më të madh ndaj saj. Në fund të fundit, secili aktor dhe regjisor ka primare ballafaqimin me spektatorin.

Ema Andrea: Të përpiqemi të gjithë bashkë që artisti të jetë dinjitoz në shoqëri dhe art dhe mbi të gjitha Teatri Kombëtar të ketë të gjithë lartësinë dhe rëndësinë që duhet të ketë një institucion i tillë dhe jo thjesht një vend ku jepen shfaqe.

Në protestat e këtyre ditëve kundër Ministrisë së Kulturës, artistët kanë shprehur nevojën për një lider teatri të pavarur politikisht.

Dalja e tre kandidatëve nga kjo valë zhvillimesh mund të jetë një hap demokratik, por akoma jo më i miri.

Do duhej që platformat të prezantoheshin publikisht për të parë propozimin më të mirë.

Afati është shumë i shkurtër. Pranimi i kandidaturave është deri më 22 shkurt.

/Ora News.tv/