Rruga e Dibrës është transformuar tërësisht teksa për qytetarët është krijuar edhe një korsi e dedikuar biçikletash. Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj tha se investimet do të vijojnë në çdo lagje, ndërsa ka premtuar se pas këtij 4-vjecari që u fokusua tek emergjencat, në mandatin e radhës ai do të punojë për kryeqytetin e ëndrrave.

Kjo është pamja e re e Rrugës së Dibrës, në të cilën jo vetëm është ndërhyrë duke e rikonstruktuar por është krijuar edhe një korsi e dedikuar për biçikletat. Gjatë përurimit, kryebashkiaku Veliaj tha se punimet janë mbyllur në kohë rekord ndërsa synohet edhe promovimi i lëvizjes me biçikleta.

Veliaj: Ashtu siç kemi bërë një hyrje dinjitoze në Rr. “Dritan Hoxha” apo siç po fillojmë tani me rrugën e Kombinatit, kjo është një tjetër hyrje e Tiranës e cila ka dalë në dritë dhe u jep mesazhin njerëzve se këtu ka një cilësi tjetër të të bërit të punëve, pastërti, higjienë dhe rregull.... Pavarësisht se kemi pasur një sezon të jashtëzakonshëm me shira, kemi arritur ta mbyllim këtë në kohë rekord, edhe me korsi biçikletash. Gjatë gjithë kësaj vere do të promovojmë lëvizjen me biçikleta dhe besoj se kjo është një ditë e mirë për Shqipërinë dhe Tiranën tonë”,

Veliaj tha se Bashkia do të vijojnë ndërhyjë me investime në çdo lagje të qytetit, teksa ka premtuar se në mandatin tjetër do të punohet me më shumë energji.

Veliaj:  Tani do të vijojmë me disa blloqe, që të stolisim çdo lagje në nivel kapilar, me kënde lojërash, lulishte, siç po bëjmë te Katrori dhe në disa prej njësive të tjera të Njësisë 4”. Do t’i japim një sprint këtë vit të fundit të mandatit tonë, për t’u siguruar që ky katërvjeçar mbuloi emergjencat kryesore për Tiranën dhe pastaj në mandatin tjetër do të vijojmë me më shumë fuqi dhe energji për Tiranën e ëndrrave tona”, 

Krahas punimeve në shtratin e rrugës së Dibrës, Bashkia e Tiranës punoi edhe për realizimin e projektit të rehabilitimit të fasadave të pallateve në godinat publike. Për zbatimin e këtij projekti, Bashkia e Tiranës zhvendosi murin e rrethues të Ministrisë së Mbrojtjes për të mundësuar krijimin e trotuarit në nivel me rrugën.

/Ora News.tv/