Katër personat e ndaluar për 3.4 mln eurot e sekuestruar në automjetet 'Toyota Yaris' në portin e Durrësit më 23 qershor 2018 do të vijojnë të mbeten në burg.

Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda ka rikonfirmuar masën e sigurisë 'arrest me burg' të dhënë nga Gjykata e Durrësit, e cila më pas shpalli  moskompetencën për çështjen, duke vendosur dërgimin e akteve pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda në Tiranë, si gjykata kompetente për shqyrtimin e rastit.

Në seancën  që u zhvillua me dyer të mbyllura me kërkesë të dy prokurorëve Ened Nakuci dhe Doloresa Musabelliu, ndaj katër të akuzuarve Edi Lika, Klevis Lika, Agim Çeka dhe Alban Mollaymeri janë shtuar dhe tre akuza.

Po kështu avokati i Edi Likës, Saimir Vishaj, zbuloi se tashmë nën hetim janë dhe dy persona të tjerë por që nuk zbuloi emra për shkak të sekretit hetimor.

Vishaj: Është shtuar dhe akuza e re që ka të bëjë me grup të strukturuar kriminal dhe kryerjen e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal. Ajo që ne vazhdojmë kërkojmë nga prokuroria dhe gjykata është që në lidhje me akuzën pastrimi i produkteve nga vepra penale, sot prokuroria dhe gjykata nuk dinë çfarë vepre penale është kryer dhe pastaj të analizojmë që këto eurot e gjetura janë pastrim që rrjedhin nga ndonjë vepër penale apo janë para të mbledhura nga emigrantët.Nuk dihet akoma sepse dhe prokuroria është konfuze se çfarë vepre penale konkrete është kryer.

Ishin të njëtat prova dhe dyshime që ekzistonin dhe në gjykatën e shkallës së parë Durrës e cila shpalli moskompetencën dhe për çudi sot janë regjistruar dhe dy emra të tjerë, është sekret hetimor. Nuk janë më katër veta por janë gjashtë veta persona në hetim.

Pyetje: Cilët janë argumentat që kundërshtoni arrestin me burg?

Vishaj: Së pari mospasja dijeni e të pandehurve lidhur me sasinë e eurove që janë gjetur në Toyotat, asnjë nga personat në hetim nuk ka pasur dijeni dhe jo më të ketë ndonjë veprim të kundraligjshëm dhe aq më tepër që i mbrojturi prej meje Edi Lika ka qenë në masë sigurie arrest shtëpie dhe imagjino kur je në arrest shtëpie të shkosh dhe realizosh arrest flagrant është jashtë çdo lloj logjike dhe procedure ligjore.

Meqenëse prokuroria e Durrësit shpalli moskompetencën sepse e dinte që kjo ishte vetëm një kundravajtje penale, sepse mosdeklarimi i të hollave në kufi është kundravajtje penale dhe nuk justifikon arrestin.Për të mbrojtur arrestin që u bë kaq zhurmë në publik u caktua dhe masa e sigurimit nga gjykata e shkallës së parë të krimeve të rënda duke u shtuar dhe tre akuza shumë të rënda për të përligjur arrestin. Por jam i bindur se do të jetë vetëm një flluskë sapuni në fund.

Katër të ndaluarit mohojnë akuzat: S'kemi dijeni për eurot

Pyetje: Katër të arrestuarit çfarë qëndrimi mbajtën?

Vishaj: Janë të katërt në mohim, nuk kanë dijeni në lidhje me sasinë e valutës së gjetur në dy automjete dhe jo më  të kenë kryer veprime të kundraligjshme.

Pyetje: Po klienti juaj çfarë qëndrimi mbajti?

Isam Shameti, avokati i Agim Çekës: Klienti im mbajti po qëndrimin që mbajti në gjykatën e shkallës së parë në Durrës, nuk ka asnjë lloj veprimi, vetëm është shofer i kamionit. Në këto kushte vetëm për armën, ne armën e pranuam sepse është gjetur në banesën e tij. Në këto kushte pa bërë asnjë akt, gjykata vendos arrest me burg. Ai ka bërë vetëm tre rrugë me këtë kompani private, ka qenë konform rregullave me kontratë pune. Vetëm një i punësuar, një fakir si themi ne, për të ushqyer fëmijët dhe bashkëshorten. Vetë është i sëmurë, 61 vjeç. I kërkuam gjykatës arrest shtëpie me pajisje elektronike, gjykata nuk e pranoi kërkesën tonë duke i shtuar dhe akuza të tjera.




/Ora News.tv/