Tottenham "pushton" Londrën, thyen Chelsea

Tottenham "pushton" Londrën, thyen Chelsea

Londra është e Tottenham Hotspur. "Gjelat" mposhtën në derbin e qytetit, Chelsea-n, 3-1 duke i marrë vendin e tretë dhe duke i shkaktuar humbjen e parë të sezonit "bluve".

Në "Wembley" takimi nisi me raste të shumta, ndërsa vetëm 8 minuta mjaftuan për të parë golin e parë. Ishte mesfushori i talentuar, Dele Alli, që devijoi saktë me kokë një krosim të Eriksen. Një gol që trrullosi të besuarit e Maurizio Sarrit, që 8 minuta më pas, e nxorën sërish sferën nga rrjeta. Këtë herë ishte Kane "klienti" i asistit të Eriksen, me anglezin që bëri dinakun në hyrje të zonës duke mposhtur Arrizabalaga.

Në pjesën e dytë, radhën për të shënuar e kishte koreano-jugori, Son Heung Min, ndërkohë që goli i Oliver Giroud 5 minuta përpara fundit shërbeu vetëm për statistikë. Kjo fitore i jep krahë Tottenhamit, që pret në mesjavë Interin, rivalin e drejtpërdrejtë për një vend në fazën tjetër të Champions League.

Ndërkohë Chelsea pëson humbjen e parë në këtë sezon, ndërsa mban vendin e katërt me 28 pikë, -2 nga Tottenhami që pozicionohet një vend më lart.

EMISIONET