Sikur të mos mjaftonte vështirësia e kundërshtarit të raundit të parë, Kukësi duhet të bëj llogaritë edhe me atë pasardhës. Fillimisht verilindorët duhet të kalojnë Debrecenin dhe më pas do udhëtojnë drejt Italisë, aty ku i pret Torino në kuadër të raundeve kualifikuese të Europa League.

"Demat" i kanë hedhur sytë nga ky çift, Kukësi-Debrecen nga ku do të dalë edhe rivali i raundit të dytë të Europa League, por ende nuk e ka vendosur se ku do të zhvillohet ky takim. "Olimpico Grande Torino" pret një koncert madhështorë më 25 korrik dhe hungarezëve dhe nënkampionëve të Shqipërisë i duhet që të luajnë diku tjetër.

Sa i përket vendeve alternative, Silvio Piola e Novara është hedhur poshtë për shkak të terrenit sintetik, edhe pse Friuli i Udineses mbetet një mundësi. Gjithsesi, sipas asaj që raportojnë "La Stampa" dhe "Tuttosport" ky 90 minutësh do të luhet në "Stadio Moccagatta" të Alessandrisë.

Por, problemet nuk kanë të sosura. Vetëm 4 mijë tifozë mund të ulen në këtë impiant, duke zbehur disi pritshmëritë e shqiptarëve. Gjithsesi, fillimisht Kukësit i duhet që të eliminojë Debrecenin dhe më pas të bëj llogaritë me Torinon, që futet në këtë raund pas përjashtimit të Milanit.

/Ora News.tv/