Kolegji i Posaçëm i Apelimit përuroi sot ambientet e reja. 

 Fjala e plote e Natasha Mulajt

Puna jonë është e misionarit. Është sfida madhore për të pastruar radikalisht sistemin e drejtësisë.

Si çdo mision dhe misionar realiteti imponon kushtet në të cilat veprojmë. Të gjithë pjesëtarët e sistemit të drejtësisë duhet të kalojnë në sitën e imët të vetingut. Unë jam e bindur se skanimi kërkon vetëm paanshmëri, ndershmëri, profesionalizëm dhe padyshim ato elementë që realisht kanë munguar në të gjitha sistemet që përbëjnë demokracinë.

Vetëm kështu jam e bindur se do ia dalim mbanë me sukses dhe do të jemi krenarë para vetes, demokracisë, atdheut dhe para Zotit  

Pavarësisht se është thënë shpesh ky proces ka si qëllim një prej plagëve më të mëdha të demokracisë, zhdukjen e korrupsionit në radhët e gjyqtarëve e prokurorëve, detyra e parë e çdo shoqërie është drejtësia dhe asnjëherë nuk është vonë.

Nënvizoj me shumë forcë se nxjerrja pa mëshirë e të korruptuarve nga radhët tona është jetike për demokracinë.

 Togat e zeza më në fund duhet të kenë faqen e bardhë.  E thjeshtë për tu artikuluar dhe aspak e  lehtë për tu realizuar por prandaj ne jemi këtu, për të bërë drejtësi të drejtë, pa kulisa e tërësisht transparente.

Një nga gangrenat e shumta të realitetit shqiptar është padyshim selektiviteti. Unë jam e angazhuar dhe e përkushtuar tërësisht si në ditën e parë që mora detyrën, që të gjithë subjektet duhet të trajtohen me ndershmëri ekstreme. Kjo nënkupton thjesht dhe vetëm shqyrtimin në themel të të gjithë komponentëve që parashikon ligji i vetingut, pra pasurinë, figurën dhe kompetencën profesionale.
 

Drejtësia jonë ka ceduar shumë, duke rrëzuar besimin dhe respektin e opinionit publik, dhe kjo për shkak të individëve të korruptuar.

Tani unë besoj se është koha dhe momentin që ata të japin llogari.

Asnjë tolerim, asnjë cedim, asnjë selektivitet, dhe asnjë përjashtim, sentenca: Të gjithë të barabartë para ligjit duhet të funksionojë si e tillë dhe opinioni qytetar duhet të bindet që ne po bëjmë këtë.

Ata gjithashtu duhe të mësojnë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën për ta, por jo vetëm kaq, ata duhet dhe të japin llogari.

Nuk ka drejtësi të cunguar duhet të jetë e thellë e plotë dhe të shihet si e tillë. Unë personalisht gjykoj se filtri i imët dhe funksional do të shërbejë si gur themeli për shëndoshjen e sistemit. Edhe  nëse nga vetingu dalin vetëm pak të pastër në bregun tjetër, kjo është sërish mjaft e shëndetshme.

Të qënurit i pastër, i papërlyer dhe i painfluencueshëm nga politika dhe paraja është parakusht thelbësor për të hedhur bazat  e forta të shëndoshjes së drejtësisë së sëmurë shqiptare. Ne po e operojme drejtësinë e sëmurë shqiptare, por jemi të sigurtë se pas reanimacionit ajo do të jetë më e shëndetshme se kurrë.

Ndarja e pushteteve do të fillojë të materializohet dhe konkretizohet në Shqipëri.

Unë personalisht nuk do të hezitoj për asnjë moment, të denoncoj pa doreza dhe pa ekuivok çdo ndërhyrje financiare apo politike në veting. Askush nuk mund të vërë në dyshim integritetin dhe vullnetin tonë. Ne jemi shërbëtorë të devotshëm të ligjit dhe të popullit.

/Ora News.tv/