Trupa e Operas dhe Baletit ka nisur turin e saj veror me shfaqje në disa qytete të Shqipërisë. Vlora, Gjirokastra, Durrësi dhe Saranda do të kenë mundësi të shohin nga afër solistë dhe instrumentistë në përformancat e tyre të larmishme në Teatrot e hapura. Në Kalanë e Gjirokastres do të shfaqet edhe premiera e Ansamblit Popullor “Sokaku i të Marrëve”

Jemi mësuar që shfaqjet e Operas të ndiqen në salla të mbyllura dhe më një publik elitë, por për herë të parë trupa e Teatrit të Operas dhe Baletit ka dalë jashtë këtyre sallave të mbyllura për të qenë më pranë artdashëseve të saj. Opera Summer Tour është strategjia më e re e drejtueses së Teatrit Operas dhe Baletit për të dhënë shfaqje në Teatro të hapura në disa qytete të Shqipërisë, si në Vlorë, Gjirokastër, Durrës dhe Sarandë.

Zana Çela: Është një strategji e re që ka 1 vit e gjysmë që ka nisur në kalendarin e Teatrit të Operas, po ndodh për herë të parë në verë.

Solistë, instrumentistë, balerinë dhe valltarë do jenë në Teatrot e Hapura në qytetet bregdetare për të kënaqur publikun dhe njëkohësisht për të rritur edhe audiencën e TOB-it me një repertor të larmishëm që nga operetta deri tek muzika moderne.

Zana Çela: Kemi përgatitur koncerte të ndryshme, repertorët e të cilëve përbëhen nga operetta dhe në repertorin modern do gjeni Beattles, këngë tradicionale greke, shqiptare, italiane por ka vulën e muzikës klasike.

Por si janë pritur nga qytetarët dhe turistët në rrethe shfaqjet e Teatrit Operas dhe Baletit?

Zana Çela: Ka jashtëzakonisht shumë vëmendje nga shikuesit, gjë që na bën të reflektojmë që të shtojmë koncertet në repertorin e ardhshëm të Teatrit të Operas.

Turi veror i Operas ka nisur në Llogara për të vijuar më pas në Vlorë me “Opera Jeans”, ndërsa me 18,19 dhe 21 korrik në Gjirokastër do të shafqet “Sokaku i të Marrëve”, premierë e Ansamblit Popullor. Opera Summer Tour do të mbyllet në Durrës me 29 korrik me baletin “Monger”.

/Ora News.tv/