Shpallja e 50 mijë vendeve vakante në sistemin shëndetësor gjerman, do të sjellë të tjera largime nga Shqipëria të punonjësve të shëndetësisë. Për rektorin e Universitetit të Mjekësisë prof.Arben Gjata arsyet e largimit lidhen me pagën dhe kushtet e punës, por rektori vlerëson dhe potencialin që kanë të diplomuarit në Shqipëri.

Deklarata e Ministrit të Shëndetësisë së Gjermanisë, Jens Spahn, se janë rreth 50 mijë vende vakante për infermierë në Gjermani për Europën Juglindore që përfshin Shqipërinë dhe Kosovën, është një mundësi për punonjësit e shëndetësisë; por edhe vijimi i hemoragjisë për vakancat që krijohen në sistemin tonë shëndetësor.

Urdhri i Mjekut raportoi me herët se në një vit mbi 150 mjekë kërkojnë vërtetime etike për largimin e tyre, me destinacion kryesisht Gjermaninë.

Për rektorin e Universitetit të Mjekësisë Prof. Arben Gjata, ka arsye si paga dhe kushtet e punës, apo mundësitë e karrierës, që i detyron bluzat e bardha të shohin tregjet evropiane.

Arben Gjata: Ka studime të shumta që nxjerrin në pah këtë lëvizjen e "trurit" drejt vendeve që kanë më shumë para. Edhe Gjermania prodhon mjekë dhe lëvizin në vende të tjera ku pagesa është më e lartë. Sidomos nga Europa Juglindore ka pasur lëvizje të shumta, sidomos të personelit mjekësor, drejt Europës Perëndimore.

Vlerësimi i mirë nga autoritetet gjermane ishte se rekrutimi i stafit në Europën Juglindore në Shqipëri dhe Kosovë paraqesinnjë potencial të madh për profesionistët e rinj.

Për këtë rektori Gjata thotë se ka patur vazhdimisht përshtypje pozitive edhe nga Ambasadorja e Gjermanisë në Shqipëri Schütz.

Arben Gjata: Në një takim që kam pasur me Ambasadoren gjermane para disa muajsh, tha që personeli shëndetësor shqiptar përgjithësisht në provimet e pranimit apo provimet e licencës që kanë ata, dalin në rezultate mesatare të komunitetit europian, janë njerëz që janë shumë të dedikuar në punë nëpër institucionet e shëndetit ku punojnë, gjithashtu janë shumë të mirëpritur nga komuniteti për shkak të gatishmërisë që kanë për ti shërbyer komunitetit edhe jashtë orarit të punës.

E ndërsa Gjermania po përgati një plan të plotë rekrutimi të profesionistëve dhe uljen e burokracisë për dokumentet e qëndrimit, ekspertët analizojnë një sërë arsyesh përse ka eksode të tilla largimi.

Kryesisht këto arsye lidhen me pagën, ngarkesën lartë të punës, marrëdhëniet pacient-mjek që janë ende delikate dhe pamundësia për të bërë karrierë.


/Ora News.tv/