Është bërë lajm më shumë për sjelljen e tij jashtë fushe se sa brenda saj. Bëhet fjalë për Neymar Jr. që vetëm pak momente pas skandalit, ku sulmohej se kishte abuzuar seksualisht me një vajzë, pësoi një dëmtim të ligamenteve.

Një situatë që i ka kushtuar shumë sulmuesit të PSG-së, që ka humbur shumë nga shkëlqimi i sezoneve të fundit. Por jo vetëm kaq. Neymar ka humbur mundësinë për të ndihmuar Brazilit në Kupën e Amerikës, i cili zhvillohet nga mesi i këtij muaji dhe tani disa sponsorë të tij po mendojnë ta bojkotojnë.

"Mastercard" tashmë ka vendosur ta largojë brazilianin nga fushata e vet reklamuese, derisa kompanitë e mëdha si Nike dhe Red Bull pritet ta bëjnë të njëjtë gjë.

Sipas gazetës së madhe franceze "L’Equipe", Neymari ka luajtur vetëm 51.8 për qind të ndeshjeve që prej se iu ka bashkuar PSG-së, që është një përqindje shumë e ulët krahasuar me lojtarët e tjerë si Lionel Messi (87 për qind) dhe Cristiano Ronaldo (77 për qind) në të njëjtën kohë. E në të tilla kushte edhe vlera e tij në treg ka pësuar zbritje.

CIES Football Observatory  zbulon se çmimi i Neymar ka rënë në 120 milionë euro, nga 213 milionë euro që ishte në fillim të vitit 2019.


/Ora News.tv/