Policia ka vënë në pranga 9 persona pasi nëpërmjet mashtrimit kompjuterik kanë përfituar 38 mijë euro. Në krye të grupit qëndronte një 30-vjeçar, i cili së bashku me anëtarët e tjerë ndërhynin në profile facebook-ku komunikonin me miqtë dhe u kërkonin para. Baza e tyre ku ushtronin këtë aktivitet ishte në një banesë pranë pallatit me shigjeta. 

Nëntë persona kanë rënë në prangat e policisë ndërkohë që një tjetër është në kërkim për veprimtari në fushën e mashtrimit kompjuterik.

Të arrestuarit kishin hapur adresa false në Facebook dhe nëpërmjet mashtrimit e shantazheve përfitonin shuma parash tek persona të tjerë.  

Në krye të grupit të hakerave që arritën të përfitojnë 38 mijë euro qëndronte 30-vjeçari Erenik Peka, i cili fillimisht hakeronte profilet e Facebook të ndryshëm kryesisht me banim jashtë vendit e më pas të angazhonte pjesën tjetër të grupit për të filluar mashtrimin me qëllim përfitimet monetare.

Burime nga policia bëjnë me dije se baza ku këta persona zhvillonin aktivitetin e tyre kriminal  ishte në një banesë pranë pallatit me shigjeta.

Anëtarët e grupit për një periudhë 1-vjeçare, kanë ndërhyrë në llogari të ndryshme të rrjetit social Facebook duke ndryshuar të dhënat e tyre dhe më pas i kanë përdorur për të komunikuar me miq të këtyre llogarive, duke iu kërkuar para.

Më pas për të bërë të mundur tërheqjen e vlerave monetare nga agjencitë e transferimit të parave përdoreshin persona me prejardhje nga komuniteti rom.

Me anë të mashtrimit kanë kërkuar shuma të ndryshme monetare dhe si rezultat kanë përfituar shumën prej 38 mijë eurosh.

Policia bën me dije se gjatë operacionit të koduar "Transferta" u sekuestruan 10 aparate celularë, 10 numra SIM Card, 3 pajisje elektronike, mandate pagese (tërheqjeje) që faktojnë aktivitetin kriminal të këtyre personave etj.

Policia shprehet që ka shpallur në kërkim dhe një 21-vjeçar për të cilin është dhënë masa e sigurisë arrest me burg në mungesë për veprën penale të mashtrimit kompjuterik.

Burime nga policia bëjnë me dije gjithashtu se vijon puna për dokumentimin dhe mbledhjen e provave të tjera, si dhe për evidentimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të kundërligjshëm.

facebook

/Ora News.tv/