Tiranë, mbillen 140 pemë në përkujtim të efektivit të vrarë të RENEA-s

Tiranë, mbillen 140 pemë në përkujtim të efektivit

Policia i bashkohet aksionit të bashkisë së Tiranës për mbledhjen e pemëve, duke mbjellur 140 pemë të reja në pjesën jugore të Parkut të Liqenit Artificial.

Pemët u mbollën në kujtim të efektivit të RENEA-s, Elham Elezi, i rënë në krye të detyrës 20 vjet më parë në moshën 29 vjeçare, por edhe të të gjithë efektivëve të policisë së shtetit, të cilët kanë sakrifikuar jetën për sigurinë e qytetarëve.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se sot detyra e çdo qytetari është të përkujdeset për qytetin ku punon dhe jeton.

Veliaj: I falenderoj shumë miqtë dhe familjen e dëshmorit të policisë, Elham Elezi. Në një moshë shumë të re dhe në vite shumë të vështira për Shqipërinë, ai dha jetën për vendin. Sot, teksa flasim për patriotizëm, unë besoj se mënyra se si familja e tij dhe miqtë e tij e përkujtojnë atë është një formë tjetër patriotizmi; sot është e nevojshme ta duam qytetin, ta mbajmë pastër dhe të përkujtojmë të dashurit tanë, me një stol, me një pemë.

Babai i Elham Elezit i falenderoi mes emocioneve punonjësit e policisë që kontribuan për përkujtimin e të birit dhe të gjithë atyre që dhanë jetën për sigurinë e qytetarëve, me mbjelljen e pemëve në Parkun e Liqenit.

Nismës së Bashkisë së Tiranës për shtimin e gjelbërimit në kryeqytet i janë bashkuar me qindra qytetarë dhe biznese, të cilët kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm. Falë kësaj nisme u transformua e gjithë pjesa jugore e Parkut të Liqenit Artificial, i cili nga një vendgrumbullim mbetjesh, është kthyer në një hyrje dinjitoze në park, me më shumë pemë dhe me pistë biçikletash.

Veliaj: Shumë njerëz as nuk e dinin që ekzistonte kjo pjesë e parkut sepse e kishin zaptuar me ndërtime pa leje, 27 vite rrumpallë. Por, më në fund, jo vetëm është çliruar, por siç e shihni, jemi në mes të një kantieri ku po shtrohen pistat për këmbësorët, çiklistët, për ata që duan të vrapojnë e të merren me atletikë. Po ‘qëndiset’ i gjithë bregu jugor dhe shtigjet e liqenit me pemë të dhuruara nga qytetarët që i janë bashkuar këtij aksioni.

Aksioni për mbjelljen e pemëve të reja do të vijojë gjerë më 22 prill, që përkon me Ditën e Tokës.



EMISIONET