Ministrja, Belinda Balluku, duket se nuk është tërhequr nga ideja e dhënies me koncesion e autostradës Tiranë-Durrës. E thirrur në një interpelancë prej deputetit të Ballit Kombëtar, Artur Roshi, ministrja u justifikua me faktin se qytetarët do të kenë rrugë alternative. Por për deputetin Roshi vendosja e taksës është absurde, në një kohë që shqiptarët paguajnë taksë për mirmbajtjen në naftë.

Ministrja e Infrastrukturës pranoi edhe njëherë faktin se  autostrada Tiranë-Durrës do të bëhet me pagesë.

Gjatë interpelancës së mbajtur në parlament, ajo theksoi se projekti është në studim e sipër.

Belinda Balluku: Deri në shtator do të vlerësojmë nëse ky projekt ka fizibilitet pasi nuk mund të vlerësohet një projekt vetëm si rruga Tiranë-Durrës.

Projekti është konsideruar absurd nga deputetët e opozitës së re parlamentare, të cilët i kanë kujtuar Ballukut se shqiptarët paguajnë taksë për qarkullimin.

Artur Roshi: Taksa që ne paguajmë brenda karburantit në çfarë mase e subvencionon pagesën që duhet të ketë të trau i rrugës? Kush është arsyeja që ju shtyn të kryeni këtë investim përmes koncesionit?

Madje Roshi theksoi se koncesionet në rrugë po kthehen në një rrezik serioz për Shqipërinë.

Artur Roshi: Impakti ekonomik i tyre në investime, si përzgjidhen këto segmente rruge që jepen me PPP, mbi çfarë logjike? Pse këto dhe jo ca segmente të tjera?

Koncesionet të tipit PPP janë kritikuar edhe prej Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, të cilët janë shprehur se po rëndojnë buxhetin dhe se ofertat e pakërkuara cënojnë konkurencën.

/Ora News.tv/