Kalimi i rrugës Tiranë-Durrës me pagesë mund të quhet tashmë çështje kohe. Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, është shprehur se investimi nuk do të ketë kosto për buxhetin e shtetit. Gjatë prezantimit të buxhetit, Ahmetaj edhe një herë ka deklaruar se nga korriku nuk do të ketë koncesione me oferta të pakërkuara.

Qeveria mbetet e bindur në dhënien me koncesion të rrugës Tiranë-Durrës.

Në prezantimin e buxhetit të vitit të ardhshëm, Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, shprehet se buxheti i shtetit nuk do të ketë kosto për këtë aks rrugor, ndërsa bëri me dije se aktualisht po punohet për ndryshime në draftin ligjor në bazë të të cilit nuk do të pranohen më oferta të pa kërkuara nga kompanitë.

Arben Ahmetaj: Po përgatitet procedura për Tiranë-Durrës me zgjerimin me tre korsi, në total gjashtë korsi të aksit kryesor të vendit dhe vazhdimin e përmirësimit në Vorë-Rrogozhinë.

Erjon Braçe: Duhet kujdesi maksimal i mundshëm për kontratat e reja që ju keni parashikuar në këtë hark kohor.

Në mungesë të opozitës, ka qenë kreu i Komisionit të Ekonomisë që ka ngritur një sërë pikëpyetjesh në lidhje me buxhetin e vitit të ardhshëm.

Erjon Braçe: Mund të na thoni, konsumi i popullatës nga se do të financohet? Së dyti, është ngritur një shqetësim në vijim gjatë gjithë këtyre viteve që ka të bëjë kryesisht me investimet e huaja direkte.

Kreu i Komisionit të Ekonomisë kishte rezerva edhe në lidhje me nivelin e rritjes ekonomike.

Ndërkaq gjatë diskutimeve, detyrimet e prapambetura kanë vazhduar të shihen si një problem edhe për këtë vit, të cilat në total arrijnë në 4 miliard lekë.



/Ora News.tv/