Tirana pastrohet për festa, Veliaj: Identifikuam 300 vatra problematike

Tirana pastrohet për festa, Veliaj: Identifikuam 300 vatra problematike

Kryetari i Bashkisë së Tiranës iu bashkua aksionit për pastrimin e kryeqytetit në festat e fundit të vitit. Thirrjes së tij i janë bashkëngjitur dhe qindra vullnetarë të shpërndarë në 30 pikat me problematike në të gjitha njësitë administrative të kryeqytetit.

Veliaj: Në qoftë se në fillim identifikuam rreth 300 hot spote, vatra e qendra problematike në Tiranë, sot situata është si dita me natën. Sot kemi vetëm 30 pika. Jemi fokusuar në këto 30 vatra papastërtish, të krijuara kryesisht prej neglizhencës, nga qytetarë që edhe pse i kanë koshat afër, prapë mbeturinat i hedhin diku tjetër, 10-15 metra larg koshit. Mund të shtrojmë rrugë me qindra kilometra, por 10 centimetrat që na ndajnë nga ndjesia e të jetuarit në komunitet, duket se janë më të vështira për t'u shtruar. Ndaj besoj se puna më e madhe nuk do jetë vetëm tek pastrimi, por edhe tek emancipimi.

Kryebashkiaku u bëri thirrje qytetarëve që të mbajnë pastër mjedisin e të sillen si evropianë. 

Veliaj: Sot jemi duke pastruar një zonë këtu pranë Bulevardit të ri, në Njësinë 9. Duket që ka një kontrast midis Bulevardit të Ri, i cili është një shprehje modernizmi, që duket si jashtë shtetit, dhe disa prej xhepave anës bulevardit, ku përpara se të themi "e duam Shqipërinë si gjithë Evropa dhe si jashtë shtetit", duhet të sillemi si evropianë. Fakti që gjëja e parë që çdo i huaj, gazetar, këngëtar, artist, udhëtar, turist, vë re është që Tirana është më e pastër dhe ndoshta kryeqyteti më i pastër në rajon. Duam ta ruajmë këtë reputacion, falë ndihmës që do na japë çdo qytetar për t'u sjellë si evropianë, përpara se të fillojmë negociatat për anëtarësim në BE.

Kryebashkiaku theksoi se do të vijojë bashkëpunimi por dhe kontrolli i kompanive me të cilat është nënshkruar kontrata për pastrimin, teksa shtoi se dhe ndërmarrja publike tashmë po luan një rol të rëndësishëm.

EMISIONET