Humbja në derbi nuk ka kaluar pa pasoja tek Tirana, që tani rrezikon seriozisht qëndrimin mes të mëdhenjve të futbollit shqiptar. Ekipi  bardheblu i është rikthyer përgatitjeve për ndeshjen me Kastriotin dhe në fjalimin e tij trajneri, Ardian Mema i ka kërkuar llogari futbollistëve për performancën e fundit.

Disa prej tyre kanë pranuar gabimet, ndërsa të gjithë së bashku kanë premtuar se do të japim maksimumin për ta nxjerr ekipin nga kjo situatë.

Sfida me Kastriotin konsiderohet si një finale për bardheblutë, pasi diferenca me krutanët është vetëm 2 pikë në klasifikim dhe në rast se nuk fitojnë dot në stadiumin "Selman Stërmasi", atëherë objektivi do të ndërlikohej shumë. Kur kanë mbetur edhe 9 pikë në lojë, Tirana ka nevojë për 4 pikë për të siguruar mbijetesën.

Por klasifikimi nuk është problemi i vetëm. Tirana në këtë moment duket sikur ka kundër edhe tifozët. Tifo-grupi "Tirona Fanatics" një javë më parë bojkotoi derbin, ndërsa kundër Kastriotit klubi rrezikon të luajë pa tifozë.

Drejtuesit duhet të paguajnë pjesën e mbetur të dënimit nga Disiplina, i cili përkthehet në 5 milionë lekë të vjetra gjobë për t’i patur në shkallët e stadiumit mbështetësit e tyre. Por deri tani nuk ka asnjë lëvizje.

Gjithashtu thuhet se bardheblutë i druhen edhe gjykimit. Pak ditë më parë, presidenti Refik Halili u shpreh se Tiranën e kanë penalizuar arbitrat. Deri tani nuk ka një shkresë zyrtare në FSHF për gjyqtarë të huaj, por kujtimet nga ndeshja e fundit me Kastriotin janë të freskëta për kryeqytetasit.

Trajneri Ardian Mema nuk do të ketë në dispozicon kapitenin Erando Karabeci, i cili ka mbyllur sezonin, ndërsa Hasani, Daja dhe Imami janë stërvitur të diferencuar, por pritet të jetë të gatshëm për sfidën me krutanët.

/Ora News.tv/