Parku Olimpik në Tiranë mikpriti gjatë fundjavës edicionin e 7-të të Kampionatit Ndërkombëtar të Taekwondo-s, ku morën pjesë rreth 1000 sportistë nga 11 vende të botës.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se Tirana po kthehet në kryeqytetin e sportit të të gjithë shqiptarëve.

“Më vjen mirë mirëpritëm nga mbi 1 mijë atletë nga 11 vende të botës. Fakti që Tirana po përjeton një rilindje të sportit me hapjen e 62 palestrave, shto këtu edhe suksesin e Parkut Olimpik, na bën të ndihemi shumë mirë”, tha ai.

Kryebashkiaku u bëri apel prindërve që të ndihmojnë në masivizimin e sportit tek moshat e reja dhe largimin e fëmijëve të tyre nga jeta pasive.

Ai nënvizoi se palestrat e shkollave do të shërbejnë pasditeve dhe në fundjavë si qendra komunitare për aktivitete të ndryshme.

“Kemi sot jo vetëm mjedise ku mund të ushtrohen të rinjtë, por mbi të gjitha të mësojmë si fitojmë, si humbim, çfarë është fair-play, të kuptojmë që asnjë humbje nuk zgjat përgjithmonë, por asnjë fitore nuk duhet të na bëjë arrogantë. Një qytet me të rinj që merren me sport është qytet më i shëndetshëm, e mbi të gjitha një qytet i mbushur me qytetarë që respektojnë rregullat”, shtoi Veliaj, teksa siguroi se Bashkia e Tiranës do të vijojë të vijojë mbështetjen dhe fuqizimin për aktivitete të tilla.

Leo Kapri organizator i “7th TOP Tirana OPEN International Taekwondo Tournament” falenderoi kryebashkiakun Veliaj për mbështetjen e vazhdueshme për sportin.

Prej disa ditësh Bashkia e Tiranës ka nisur një fushatë për promovimin e aktivitetit sportiv në qytet, duke hapur të gjitha palestrat e shkollave, që mund të shfrytëzohen nga të rinjtë dhe komuniteti rreth shkollës.

/Ora News.tv/