Tirana me 82 mijë pemë të mbjella, në shkurt vijnë 4 mijë biçikleta

Tirana me 82 mijë pemë të mbjella, në shkurt vijnë 4

Deri më tani në kryeqytet janë mbjellë 82 mijë pemë, ndërkohë që shumë shpejt do të realizohet mbjellja edhe e 18 mijë pemëve për të kapur rekordin e 100 mijë pemëve të reja.

Në fjalën e mbajtur në konferencën “Financimi i Shërbimeve Mjedisore në Nivel Vendor pas Ndarjes Administrativo Territoriale”, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj deklaroi se Tirana do të rrethohet nga një mur i gjelbër, sikurse është projekti i Pyllit Orbital.

“Ne nuk besojmë te muret, ne besojmë në të tjera zgjidhje afatgjata, kjo është arsyeja që i vetmi mur për të cilin jemi duke punuar në Tiranë, është Pylli Orbital. Duam një mënyrë sesi të rrethojmë Tiranën me një unazë të gjelbër, e cila shërben për të ndarë pak zonën rurale, nga zona urbane dhe për të kufizuar urbanizimin e qytetit. Për sa kohë që jemi një qytet, i cili nuk mund të përballojë, jo vetëm Tirana, por asnjë qytet në Shqipëri pa hyrë në BE, një metro, kur 1 km metro kushton 300 milionë euro, do të thotë 3 buxhete vjetore të Bashkisë së Tiranës, për 1 km metro."

Veliaj i drejtohet çdo qytetaro që ti bashkohet nismës.

" Sot ishte mbi 82 mijë, kështu që jemi rreth 18 mijë pemë deri në datë 21 mars. Kërkesa ime që secili prej jush që të na bashkohet dhe të mbjellë pemën e vet, për familjen, për të dashurin, për fëmijët apo për çdo lloj sebepi tjetër deri në datën 21 mars”, tha ai.

Veliaj u shpreh se 60 për qind e investimit për mbjelljen e pemëve të reja vjen nga privati, çka tregon edhe mbështetjen për këtë nismë. “Vetëm 40% të asaj që ju shikoni që po mbillet në Tiranë në gjurmën e Pyllit Orbital, apo në parqet e qytetit është e bashkisë, 60% po vjen nga iniciativa private, nga kompani, nga institucione të ndryshme, nga qytetarë të thjeshtë. Çdo pallat me administratorin e vet, 5 pemë poshtë pallatit, nga individë, ditëlindja e fëmijëve, Shën Valentini, përvjetori i dasmës, përkujtimorja e dikujt që nuk jeton më, nëpërmjet një peme. Pra një buqetë  sebepesh, arsyesh, pse dikush duhet të jetë pjesë e këtij kontributi. Unë besoj që garancia për ta ruajtur këtë investim, është fakti që shumica e investimit është bërë nga vetë qytetarët”, tha ai.

Veliaj u ndal edhe tek ambicia e Bashkisë së Tiranës për krijimin e një rrjeti sa më të madh të korsive të dedikuara për biçikletat. Muajin e ardhshëm rrugët e kryeqytetit pritet që të mbushen nga 4 mijë biçikleta të reja të cilat do të mund të përdoren nga qytetarët në çdo cep të Tiranës kundrejt një pagese edhe më të vogël se një biletë autobusi.

“Ne sapo kemi filluar një proces hiperaktiv të korsive të reja të biçikletave në Tiranë, për ta kthyer të gjithë qendrën me një rrjet minimal të biçikletave. Ideja jonë është që në vitin 2018 të bëjmë një transformim. Fillimisht po bëjmë korsi ultramoderne. Muajin tjetër do të sjellim 4 mijë biçikleta në Tiranë. Kosto e një biçiklete për përdorim do të jetë 30 lekë, pra më pak se një biletë autobusi. Ne duam që të jetë autobus më atraktiv se makina dhe pastaj biçikleta se autobusi”, deklaroi kreu i Bashkisë. 

EMISIONET