Tirana feston 73-vjetorin e çlirimit, Veliaj: Të frymëzohemi nga historia

Tirana feston 73-vjetorin e çlirimit, Veliaj: Të frymëzohemi

Përkujtohet 73 vjetori i çlirimit të Tiranës nga pushtuesit nazifashistë. 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, ministra, deputetë, përfaqësues të qeverisë, anëtarë të Këshillit Bashkiak, si dhe dhjetëra veteranë të Luftës Nacional-Çlirimtare, morën pjesë në ceremoninë e përkujtimit të kësaj dite dhe sakrificës që mijëra të rinj dhe të reja bënë për çlirimin e kryeqytetit.

Në shenjë mirënjohje dhe nderimi, për të gjithë ata që dhanë jetën për çlirimin e Tiranës, si dhe për ata qindra të tjerë që u bënë pjesë e luftës antifashiste, në monumentin e “Ushtarit të Panjohur” u vendosën kurora me lule.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës shprehu mirënjohjen për sakricat dhe veprën që të rinjtë dhe të rejat bënë  për çlirimin e kryeqytetit, dhe njëkohësisht familjet tiranase që hapën dyert e mikpritjes. Sot, tha ai nuk është nevoja të japësh jetën për vendin por kontributin e tij. 

 “Sot nuk kërkohet nga askush të japë jetën për vendin, në momentin që ne jetojmë në një kohë paqe, por sot kërkohet nga secili që të japi një kontribut për vendin. Shqipëria ende si në kohë të luftës, ne jemi prapë të ndarë në dy kategori, një kategori që jep mend për kohën, si bëhen gjërat dhe një kategori që atëherë merrte armën për të luftuar dhe sot në fakt merr angazhim për të punuar. Unë i ftoj të gjithë le të jemi tek kjo kategoria e dytë  dhe në dallim nga ata që u kërkohej të jepnin jetën, sot na kërkohet të japim një kontribut, secili për qytetin e vet, për rrugën e vet, për mëhallën e vet, për komunitetin e vet”, theksoi ai.

Nisur nga shembulli pozitiv që 73 vjet më parë dhanë të rinjtë dhe të rejat e këtij qyteti, Veliaj theksoi se vendi ka ende nevojë këta heronj të panjohur që sakrifikojnë që brezi i ri i shqiptarëve të jetë më i ditur dhe më i aftë.

“Sot jemi përballë një monumenti që quhet monumenti i “Partizanit të panjohur” dhe arsyeja pse nuk ka një emër të përveçëm është sepse i dedikohet kujtdo, anonimi, jo njerëz të famshëm, por bij dhe bija të thjeshtë të vendit tonë që morën përsipër një kauzë të jashtëzakonshme si ajo e çlirimit të vendit. Ne sot ende kemi nevojë për këta heronj të panjohur. Ne kemi nevojë për mësuesit e panjohur që pavarësisht se nuk janë të famshëm sakrifikojnë që brezi i ri i shqiptarëve të jetë më i ditur, të jetë më i mençur, të jetë më i aftë. Ne kemi sot nevojë për mjekun e panjohur që sakrifikon çdo ditë për të shëruar jetë njerëzish. Ne kemi nevojë për këtë njerëz që japim më të mirën për Shqipërinë dhe për vendin tonë. Respekt të madh gjithë heronjve të heshtur që në çdo cep të Shqipërisë, por dhe në çdo cep të Tiranës duke filluar nga administrata më e lartë deri te pastruesi më i fundit e shikon sjelljen patriotike ndaj vendit si një shërbim ndaj qytetit dhe kombit të vet”, nënvizoi Veliaj 

Në ceremoni mori pjesë dhe zv. Ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi i cili tha se e djathta nuk është distancuar ende nga bashkëpunëtorët e nazifashizmit si e majta nga krimet e komunizmit.

Petro Koçi: Edhe sot e kësaj dite duhet të ftojmë forcat politike të distancohemi nga bashkëpunëtorët e fashizmit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Nëse e majta me zgjuarsi  e mençuri u distancua nga fajet e rregjimit komunist e dajthta nuk është distancuar qartazi nga bashkëpunëtorët e fashizmit"  

Edhe në këtë përkujtim nuk kanë munguar përkrahësit e diktatorit Enver Hoxha me pankarta në duar dhe portrete të diktatorit Hoxha ata kanë nderuar me rastin e ditës së çlirimit të Tiranës. 

Klikoni ketu per te pare galerine e fotove

EMISIONET