Një nga të mirat që di ti marrë skenës Timo Flloko është edhe poezia. Jo poezia që  shkruan vetë, por vargjet e Hajnes e Brehtit. Flloko është shijues i autorëve shqiptarë. Ndodh që ai t'i nxjerrë nga harresa dhe t'ia sjellë publikut. 

Kështu ka ndodhur me "Ndreqje gabimesh" të Arian Lekës, vargjet e të cilit i sjell sonte në katedralen ortodokse bashkë me ish-studentin e tij Kristian Koroveshi.

Timo Flloko: “Unë e kisha lexuar poemën dhe e kisha uruar Arianin, më pëlqeu mjaft. Ishte ideja e Kristianit, studentit tim që të bënim një lexim artistik.”

Dashuria ka nevojë të ushqehet, ashtu siç ka nevojë teatri dhe poezia të ushqejnë njëri-tjetrin. Flloko dhe Koroveshi gjejnë tek poemat e Lekës mundësinë e pafundme që ka njeriu për të korrigjuar pasionin dhe vetë dashurinë. Një mesazh në vigjilje të Shën Valentinit

Timo Flloko: “I takon dashurisë, gjenezës, lindjes, jetës, vdekjes, dëshirës për të qenë i përjetshëm.”

Kristian Koroveshi: “Përmes emocionit njeriu duhet të ndreqë veten, kështu që le të ndreqim emocionin, le ti japim një model që dashuria nuk i përket thjesht dhe vetëm një fasade të jashtme që ne themi ‘Të dua’ ditën e Shën Valentinit sepse ne e keqkuptojmë festën ndonjëherë.”

"Ndreqje gabimesh" i Arian Lekës i bouar në vitin 2010, është vlerësuar po atë vit me çmimin “Lasgush Poradeci”, si libri poetik më i mirë i vitit dhe pas kësaj është përkthyer në mjaft gjuhë.

Shfaqja e sotme vjen në formën e një monolog/dialogut, shoqëruar nga balerina Akreoma Saliu me "Adagietto"-n e Simfonisë V të Gustav Mahlerit.

/Ora News.tv/