Tifozët kuqezi kërkojnë t'i "mbyllin" gojën Kosta Grillos

Para pak ditësh ai u shpreh se për këtë Botëror bën tifo për kombëtaren e Serbisë. Bëhet fjalë për komentatorin e njohur shqiptar, Kosta Grillo, i cili u "masakrua" nëpër rrjete sociale me komentin e tij.

Të shumta kanë qenë kritikat për deklaratën e komentatorit Grillo, ndërsa së fundmi ka reaguar edhe shoqata e tifozëve Kuq e Zi.

TKZ i dërgon një kërkesë Radio Televizionit Shqiptar, ku kërkon t’i hiqet mundësia e komentimit të ndeshjeve të Kombëtares dhe jo vetëm, komentatorit Kosta Grillo.

JA KËRKESA E TKZ DREJTUAR RTSH:

(Kërkesë dërguar RTSH – Radio Televizionit Shqiptar)

Të nderuar anëtarë të Këshillit drejtues të RTSH,
I nderuar Z.Pano Xhixho,

Mbrëmjen e së enjtes kemi ndjekur me shqetësim deklaratat e komentatorit sportiv Kostandin Grillo në një nga emisionet sportive me anë të të cilave ai mbështet publikisht kombëtaren e serbisë dhe ekipin e Zvesdës së Beogradit.

Duke dënuar këto deklarata, sa kontradiktore aq edhe antikombëtare, njëkohësisht edhe aktivitetin e tij të hapur pro- serb dhe grek në rrjetet sociale, ku vazhdimisht shihet promovimi i interesave të këtyre dy shteteve, kërkojmë nga ju që në të ardhmen, komentatorit Kostandin Grillo ti hiqet mundësia e komentimit të ndeshjeve së Kombëtares Kuq e Zi dhe jo vetëm.

Kjo kërkesë bëhet duke marrë parasysh faktin që ai paguhet nga taksapaguesit shqiptarë për të komentuar ndeshjet sportive në një televizion publik.

Ne presim nga ai dhe të tjerë komentatorë që të jenë shembull i transmetimit të vlerave tona.
Por nuk mundemi kurrsesi ta pranojmë faktin që një komentator sportiv i cili mbështetet financiarisht tek sportdashësit shqiptarë, të jetë në përkrahje të antivlerave duke promovuar vazhdimisht lojtarët serb në ekipet tona lokale, duke mbështetur publikisht kombëtaren serbe apo interesat greke kundrejt shteteve të tjera.
I shohim të tilla provokime si joprofesionale dhe kundër interesit të sportdashësit shqiptar.

Së fundmi, i rikujtojmë komentatorit Grillo që serbia, përveçse nuk është e vetmja kombëtare nga Ballkani që po merr pjesë në Kampionatin Botëror është gjithashtu kombëtarja e atij vendi për të cilin ai, në një tjetër emision, ka deklaruar që i ka sjellë frikën më të madhe në jetën tij (ndeshja në Beograd në 14.10.2014)!

Duke shpresuar në pranimin e kësaj kërkese, urojmë që komentatorëve apo opinionistëve të tjerë të tillë tu kufizohet sa më shumë hapësira mediatike në emisionet tuaja.

Me respekt,
Tifozat Kuq e Zi

EMISIONET