Thirrjet antishqiptare në Bularat, Shqipëria shpall non grata 52 grekë

52 shtetas grekë janë shpallur non grata nga Shqipëria për shkak të thirrjeve ekstremiste gjatë ceremonisë mortore të Kostandin Kaçifas. Në një deklaratë për mediat ku bëri me dije këtë vendim, zëvendësministri i Brendshëm, Sandër Lleshi,  siguroi se askush nuk mund ta marrë urtësinë e shqiptarëve si dobësi.

Shqiperia shpall non grata 52 shtetas grekë të cilët ishin pjesëmarrës dje në ceremoninë e varrimit të Kostandin Kacifas në Bularat ku u bënë thirrje ekstremiste antishqiptare, u ofenduan gazetarët dhe u bllokua për disa minuta aksi nacional Gjirokastër-Kakavijë. 

Ata janë shpallur non grata për veprimtari të organizuar në dëm të sovranitetit të Republikës së Shqipërisë dhe shfaqje e deklarata sfiduese ndaj rendit kushtetues, sigurisë kombëtare dhe qetësisë publike të këtij vendi. 

Zv/ ministri i Brendshëm Saimir Lleshaj doli në një deklaratë ku e quajti ngjarjen e ndodhur dje të papranueshëm, provokimin sa vulgar, aq edhe të rrezikshëm.

Sander Lleshaj: "Ministria e Brendshme e Republikës së Shqipërisë, në plotësim të përgjegjësive kushtetuese, atyre ligjore si dhe të përcaktimeve të normave të marrëdhënieve ndërkombëtare, bazuar në nenin 9 të Ligjit nr. 108/2013, “Për të huajt”, i ndryshuar; në mbrojtje të interesave të rëndësishme shtetërore që lidhen me sigurinë kombëtare; në funksion të ruajtjes së pacenuar të marrëdhënieve ndërkombëtare të vendit dhe konkretisht të marrëdhënieve miqësore me Republikën e Greqisë; e angazhuar për të mbrojtur e garantuar në çdo aspekt të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri dhe praninë e çmuar, historikisht harmonike të këtij minoriteti në gjirin e familjes shqiptare; e ndërgjegjshme për historinë e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe të ardhmen e përbashkët të shqiptarëve dhe grekëve si kombe me përkatësi dhe përgjegjësi të rëndësishme për familjen e kombeve evropiane; duke e konsideruar të papranueshëm, provokimin sa vulgar, aq edhe të rrezikshëm që iu bë dje shtetit shqiptar e qytetarëve të tij pa dallim, nga individëve e grupe të caktuara të ardhura nga Greqia, të cilët shpërdoruan respektin tonë ndaj normës tradicionale shqiptare të hapjes së dyerve të një familjeje në zi dhe e kthyen një ritual përbashkues varrimi, në një shfaqje të pa tolerueshme ekstremizmi, ka vendosur:

Këta njerëz dhe të tjerë, që po analizohen nga forcat tona të sigurisë lidhur me shfaqjen e djeshme ekstremiste në fshatin Bularat, nuk do të lejohen të hyjnë më në këtë vend, për periudhën e parashikuar në ligj.

Zoti Lleshaj e mbylli deklaratën duke nënvizuar: "Askush nuk duhet ta marrë urtësinë tonë për dobësi dhe asnjë i huaj nuk mund të shkelë pa u përballur me pasojat, ligjin dhe traditat e mikpritjes së këtij vendi" 

Më herët, kryeministri Edi Rama në twitter reagoi duke iu kundërvënë kritikëve të tij në Shqipëri dhe Greqi, për mënyrën si po reagon shteti shqiptar

Edi Rama: Sipas kokave të përndezura të politikës greke e kazanëve të atjeshëm, dje i paskam hedhur benzinë zjarrit, ndërsa sipas Kadrinjve tanë politikë e mediatikë paskam pranuar në heshtje përdhosjen e vendit! S'ka më mirë se sa i sulmuar nga dy palë qirie Kadrinj që s'i duhen dreqit.

Prokuroria nis hetimet  

Prokuroria e Gjirokastrës ka nisur hetimet për ngjarjen e djeshme në Bularat, ku ekstremistë grekë bënin thirrje antishqiptare gjatë ceremonisë së varrimit të Kostandin Kacifas.

"Qentë shqiptarë!" "Gjaku na thërret të djegim shqiptarët!" "Duhet të dini se këto janë tokat tona!" "Jemi në Vorio Epir këtu!" "Greqi, Greqi ti na drejton ne!", "Vorio Epiri është Greqi!" Ishin disa nga thirrjet më të rënda kundër shqiptarëve.

Nuk munguan as ofendimet në adresë të gazetarëve shqiptarë, teksa ata raportonin duke u shprehur "Gazetarë të poshtër!

Ekstremistët shpalosën nëj flamur të madh grek mbi të cilin ishte shkruar "Vorio Epiri është Greqi, dhe Maqedonia është Greqi!"

Pjesëmarrësit kishin në duar flamuj grek dhe banderola me fotografinë e 35 vjeçarit Kacifas i cili u varros me rroba ushtarake.

Thirrjet "Kacifas jeton!" Ti na drejton!" shoqëruan të gjithë ceremoninë.

Ekstremistët bllokuan dhe rrugën nacionale Gjirokastër-Kakavijë. 



EMISIONET